Jazhinca ende pa mjek!

    Banorët e fshatit Jazhincë të komunës së Jegunocit, edhe për një kohë të gjatë do të presin që të gjendet zgjidhje për të marrë shërbime shëndetësore primare. Përderisa problemi kishte filluar të zgjidhet, megjithatë i njëjti has në vështirësi burokratike. Banorët e këtij fshati, vite me radhë kërkojnë të gjendet zgjidhje lidhur me mungesën e mjekut edhe pse ambulanca tashmë është rregulluar në aspektin infrastrukturor. Banorët e fshatit Jazhincë këtë shqetësim e kanë ngritur edhe në takimin e mbrëmshëm me zyrtarë të lartë të BDI-së.

    “Kemi probleme ne banorët e fshatit Jazhincë, sepse nuk kemi mjek. Prandaj pyes se ku ka ngecje dhe kur do të zgjidhet ky problem”, pyeti një banor i Jazhincës, funksionarët e BDI-së.

    Ndërkaq, deputetja e zonës numër gjashtë Fisnike Shaqiri, ka thënë se problemi qëndron për shkak të afërsisë që ka ky fshat me fshatin Rogaçevë, ku ka ambulancë dhe në bazë të ligjit, në një perimetër prej 5 kilometrave nuk lejohet që të funksionojnë dy ambulanca. Zgjidhja kërkohet tek ndryshimi i rregullores.

    “Në bazë të rregullores për mënyrën e pagesës së shërbimeve shëndetësore në mbrojtjen primare shëndetësore, e vetmja pengesë është ambulanca në fshatin fqinj Rogaçevë. Kjo rregullore në nenin tetë, paragrafi katër, parashihen kritere për përcaktimin e njësisë rurale ku fshati Jazhincë, nuk e plotëson këtë kriter dhe distancën mes dy ambulancave. Në këtë rregullore thuhet, më së paku duhet 5 kilometër largësi nga vendbanimi në të cilën ndodhet objekti më i afërt i mbrojtjes shëndetësore primare, ku kjo distancë ndërmjet fshatit jazhincë dhe Rogaçevë, është më pak se 5 kilometra, pra ka 3.5 kilometra. Zgjidhja është që të ndryshohet kjo rregullore dhe pres përkrahjen edhe të drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor Faton Ahmeti”, tha deputetja e zonës numër gjashtë Fisnike Shaqiri.

    Nga ana tjetër, ministri i shëndetësisë, Bekim Sali, kohë më parë tha se disa herë është përpjekur të gjejë mjek për në ambulancën në Jazhincë të Tetovës, po pa sukses.

    “Në fakte disa herë kam tentuar që të gjej kuadro që të jenë të punësuar atje apo të angazhuar për të ofruar shërbime shëndetësore për të gjithë banorët që jetojnë në rrethinën e Jazhincës, por për fat të keq për shkak të modelit të financimit të asaj ambulante që është në bazë të kapitacionit, mjekët rinj nuk kanë pranuar atje dhe të regjistrojnë kapitacionin mjekët e rinj nuk kanë arritur të regjistrojnë pacientë për të arritur një numër të caktuar për funksionalizmin e asaj ambulante”, deklaroi kohë më parë Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

    Fshati Jazhincë ka 30 vjet pa shërbim shëndetësor. E ka objektin e ambulancës, por nuk ka mjek amë, ndërsa banorët detyrojnë të udhëtojnë drejt fshatrave të tjerë ose mbi 35 kilometra për të shkuar në Tetovë për mjekim. Banorët e zonave të thella malore vazhdojnë të përballen me mungesë të mjekëve. Edhe në ato vendbanime ku janë ndërtuar ambulanca, të njëjtat nuk funksionojnë për shkak të mungesës së personelit mjekësor.

    Disa nga mjekët që kanë punuar në viset rurale, tashmë kanë braktisur këto ambulanca dhe shumë banorë të këtyre zonave nuk kanë mjek apo shërbime primare shëndetësore, që është e garantuar edhe me kushtetutë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Punëtorët e RMV-së zëvendësohen me ata nga Azia

    Lajmi i rradhës

    (PA)VARËSIA E GJYQËSORIT: “Vjetrimi” që po shpëton të akuzuarit!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë