Punëtori në RMV 12 herë i nënvlerësuar krahasuar me atë të Europës

    Vlera reale e fuqisë punëtore në Maqedoninë e Veriut mbetet dukshëm e nënvlerësuar krahasuar me tregun evropian. Ndërsa paga mesatare mujore tejkalon 40.000 denarë, paga minimale sillet rreth 24.000 denarë. Në sytë e punëdhënësve nga vendet perëndimore, punëtori në Maqedoninë e Veriut vlerësohet shumë pak – jo për shkak të mungesës së aftësive apo njohurive, por për shkak të kushteve të pafavorshme dhe dobësive sistematike në vend

    Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, ku paga minimale rrallëherë bie nën 800 euro, Maqedonia e Veriut mbetet shumë prapa. Në Gjermani, paga minimale për orë është 12.41 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është rreth 1.5 euro – një diferencë që vështirë se mund të justifikohet vetëm me realitete të ndryshme ekonomike.

    Por përse është kaq e ulët vlera e punës në vend? Sipas ekonomistëve, problemi është i natyrës sistematike. “Ne kemi produktivitet të ulët dhe modernizim të kufizuar industrial për tregje më të mëdha. Nuk është faji i punëtorit – ai punon po aq fort, ndonjëherë edhe më shumë, sesa homologu i tij austriak. Por kur nuk ka investime dhe vlerë të shtuar, atëherë pagat mbeten të ulëta”, thotë ekonomisti Vedran Kuzmanovski.

    Një tjetër faktor është presioni i dobët nga sindikatat, si dhe përhapja e madhe e punës së padeklaruar, që ulë më tej vlerën zyrtare të punës. Sipas të dhënave të hulumtimeve vendore, pothuajse çdo i pesti punëtor punon pa kontratë formale, që do të thotë se ai nuk gëzon as sigurim social dhe as të drejtë pensioni. “Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron ta mbajë rininë në vend, duhet të ndalojë së trajtuari fuqinë e saj punëtore si një burim të shpenzueshëm”, paralajmëron sociologia Ljubica Madzovska.

    Ndërkohë që shumë të rinj e shohin zgjidhjen te emigrimi dhe kërkimi i kushteve më të mira në Perëndim, ekspertët paralajmërojnë se një prirje e tillë mund të çojë drejt një krize serioze demografike.

    Nëse puna nuk vlerësohet në vendin tënd, atëherë kush do të punojë nesër? Sa “kushton” një punëtor në Maqedoninë e Veriut? Sipas numrave – shumë pak. Sipas përpjekjeve që ai bën – shumë më tepër. Nevojitet një reformë e thellë, jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore, në mënyrë që puna të fitojë më në fund vlerën që meriton. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Laboratorët në RMV pothuajse bosh pas Covid 19

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë