Qentë endacakë, problem gjithnjë e më i madh i komunave të Pollogut

    Qentë endacak po bëhen problem gjithnjë e më i madh i komunave të Pollogut. Tentimi për zgjidhje vetanake nuk po jep rezultate. Komuna e Tetovës hapi tenderin për trajtimin e qenve endacakë dhe deri në përfundimin e tij, u trajtuan disa qenë endacak por në anën tjetër, numri i qenve të rrugës u shtua tej mase. E njëjta ndodh edhe në komunën e Tearcës. Janë ndarë 1.2 milion denarë për trajtimin e qenve endacakë, ndërsa në rrugët e fshatrave të kësaj komune, ka qindra qen endacakë.

    “Paraprakisht në bazë të buxhetit dhe parashikimit programor janë ndarë rreth 1.2 milion denarë për trajtimin e qenve endacakë, ndërsa në bazë të analizës së deritanishme janë trajtuar 96 qenë që janë trajtuar. Ne do vazhdojmë trajtimin e qenve endacakë deri në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate. E dimë në këtë rast se zgjidhja bëhet e pjesshme sepse kthehen sërish në vend pasi janë trajtuar”, u shpreh Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës.

    “Ne kemi parë mundësitë, kërkesë ka edhe nga këshilltarët që në seancën e radhës ta vendosim si pikë të rendit të ditës që të gjejmë një zgjidhje të përhershme të këtij problemi. Pasi që është problemi i gjitha komunave, çdo propozim që është për zgjidhje ne do e përkrahim, madje kemi edhe propozimet tona që të shohim për një zgjidhje afat gjatë për këtë fenomen, që e kemi për vite me radhë në gjitha komunat”, tha Besar Durmishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

    Komunat e Pollogut, zgjidhjen e shohin te ndërtimi i strehimores së përbashkët në komunën e Vrapçishtit për të cilën është duke u përgatitur projekti. Por edhe kjo, shikuar nga aspekti financiar duket e pa realizueshme për këto komuna, pasi kostoja do të jetë mbi 500.000 euro. Krerët e komunave shpresojnë te fondet evropiane.

    “Kapaciteti do të caktohet në bazë të studimit por paraprakisht ideja ka qenë që të ketë një kapacitet më të madh që të mbulojë nëntë komuna. Aty trajtimi në javë do të jetë 90 – 120 qen, ndërsa kostoja realisht nga transformimi i tokës dhe objekti do të jetë shifër jo e vogël”, deklaroi Isen Shabani, kryetar i komunës së Vrapçishtit.

    Edhe përkundër shpresave që kanë komunat e Pollogut në këtë strehimore rajonale, nga informatat deri tek të cilat ka ardhur televizioni Alsat, bisedohet për një strehimore e cila do të ketë një kapacitet trajtimi për vetëm 70 qen në javë, të cilët më pas do të lëshohen nëpër rrugë, ndërsa numri i qenve endacakë për momentin vetëm në Tetovë dhe Gostivar, sipas firmave që kanë bërë trajtimin, është mbi 3 000 pa llogaritur komunat rurale. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Sëmundjet e lëkurës, mjekët ngrenë alarmin për kujdes nga dielli

    Lajmi i rradhës

    Aleksandar Vuçiq jep dorëheqje nga udhëheqja e SNS-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë