Qershori i reformave po afron!

    Afati i qershorit për përmbushjen e obligimeve nga agjenda reformuese evropiane po afrohet, ndërsa debati politik në vend po bëhet gjithnjë e më i ashpër. Qeveria insiston se reformat po zbatohen dhe se Maqedonia e Veriut po avancon në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, opozita akuzon pushtetin për mungesë progresi, hipokrizi dhe manipulim me çështjet që lidhen me ndryshimet kushtetuese dhe integrimin evropian. Në këtë përplasje politike, deklaratat e eurodeputetit dhe raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, kanë hapur debat të ri për ritmin dhe seriozitetin e reformave që vendi duhet të përmbushë deri në fund të qershorit.

     MICKOSKI: DO TË ZBATOJMË VETËM REFORMAT NË INTERES TË QYTETARËVE

    I pyetur nëse vendi rrezikon të humb paratë evropiane të planit për rritje ekonomike, Mickoski shmangu të jep përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha se deklaratat e Vajc janë të qarta se qeveria po zbaton reformat e kërkuara. Megjithatë, Mickoski e bëri të qartë se nga dhjetë hapat të cilat duhet të plotësohen deri në fund të qershorit, dy apo tre prej tyre me siguri nuk do të plotësohen. “Vajc dha deklaratë shumë të qartë se qeveria bën reforma dhe këtu nuk ka kurrfarë dilema dhe qeveria do të vazhdojë të miratojë reforma. Kemi dhjetë hapa të cilat duhet ti kryejmë deri në fundin e qershorit. Nesër kemi koordinim në lidhje me këto hapa. Prej atyre dhjetë hapave, dy apo tre sigurisht nuk do ti bëjmë, sepse, nëse shteti nuk furnizon me energji elektrike, atëherë ju qytetarët do të paguani për 30-40 për qind fatura më të shtrenjta të energjisë elektrike. Ja po ju them se nuk do të bëjmë, për shkak se energjia elektrike subvencionohet edhe në Gjermani, edhe në Francë dhe në Itali. Nuk mundemi ne t’i godasim qytetarët tanë vazhdimisht në xhep”, theksoi Mickoski.

    Sa i përket akuzave të opozitës, Mickoski tha se për dallim nga qeveria e kaluar e LSDM-së, e cila ka udhëhequr një politikë të butë dhe në dëm të interesave kombëtare, qeveria e tij udhëheq një politikë stabile dhe nuk do të lejon të ketë kërkesa të reja në dëm të identitetit kombëtar. “Nuk do të hyj në çfarëdo aventure pa e ditur paraprakisht fundin, dhe ai të jetë pozitiv për qytetarët që më kanë votuar dhe për ata që nuk më kanë votuar, madje edhe për ata që nuk kanë dalë fare në votime, sepse për shtatë vite qeverisje të LSDM-së dhe BDI-së është aplikuar aq shumë ‘diplomaci për para’, saqë ne duhet ta korrigjojmë atë në mënyrën më të vështirë dhe po e korrigjojmë, hap pas hapi, pak nga pak, duke ardhur në një pozitë shumë më të favorshme”, theksoi Mickoski, i cili theksoi se politika e qeverisë së kaluar rezultoi me ndryshimin e emrit kushtetues. “E gënjyen popullin për shëndetësi falas, për arsim cilësor dhe për çfarë jo tjetër, dhe mbetëm më prapa se kushdo tjetër në rajon. Një diplomaci të tillë për ‘groshë të verdha’ ne nuk do ta udhëheqim; ne do të udhëheqim politikë stabile që qytetarët e njohin dhe e mbështesin”, theksoi kryeministri Mickoski.

    Sa i përket nismës së BDI-së për mbledhje të nënshkrime në Parlament, për të nisur procedurën e ndryshimeve kushtetuese, Mickoski rekomandoi partinë e Ahmetit të merret me reforma të brendshme partiake, ndërsa me politika shtetërore merret qeveria. “BDI kishte mundësi atë ta bënte kur ishte në qeveri, 20 vite ishte në qeveri, ashtu që mendoj se BDI ka probleme kadrovike dhe programore. Unë do tu sugjeroja të përkushtohen t’i zgjidhin problemet kadrovike dhe programore, ndërsa problemet shtetërore do t’i zgjidh qeveria, e cila ka legjitimitet nga qytetarët”, u shpreh Mickoski.

    LSDM: VMRO-DPMNE DO T’I FUS BULLGARËT NË KUSHTETUTË

    Ndërkohë nga LSDM nëpërmjet një reagimi theksojnë se pas disa muajsh me një fushatë të ashpër ku LSDM gjendej në qendër të akuzave për tradhti kombëtare dhe shitje të interesave shtetërore, vetëm pse ka kërkuar ndryshime kushtetuese për vazhdimin e negociatave me BE-në, tani vetë VMRO-DPMNE paralajmëron se do t’i fusë bullgarët në Kushtetutë. “Ky është kulmi i hipokrizisë dhe gënjeshtrave të Mickoskit dhe VMRO-së. Nga premtimi parazgjedhor se do ta anulonte Marrëveshjen e Prespës dhe do ta kthente emrin, përmes deklaratës ‘do të presim me dekada’, deri te e tanishmja ‘do t’i fusim’, gjithçka është mashtrim i pastër ndaj qytetarëve të vet. Qytetarët e shohin qartë: VMRO-DPMNE nuk i mbron interesat maqedonase. Ata mbrojnë vetëm interesat e tyre të biznesit dhe pushtetin e tyre. Kur u duhet, i ndryshojnë qëndrimet si çorapet”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

    Social-demokratët theksojnë se ata mbesin konsekuent në qëndrimin e tyre dhe kërkojnë përmbushjen e obligimeve evropiane për të vazhduar rrugën drejt BE-së, pa luajtur me identitetin dhe pa hipokrizi.

     VAJC SQARON DEKLARATËN QË SHKAKTOI POLEMIKA

    Përndryshe, debati u thellua pas publikimit të një interviste të raportuesit special, Tomas Vajc për “Euronews Bulgaria”. Por pikërisht koha kur u publikua intervista me Tomas Vajc rezultoi problematike. Intervista u publikua nga “Euronews Bulgaria” më 26 prill 2026, ku qëndron shënimi se ajo ishte realizuar më 10 mars 2026 në Strasbourg, gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian. Duke pasur parasysh se gjërat ndryshojnë, publikimi i saj shtatë javë më vonë, Vajc e vlerësoi si një veprim joprofesional me njëfarë agjende. “Kjo intervistë për televizionin bullgar është dhënë para më shumë se shtatë javësh. Mendoj se nuk është shumë profesionale, neve na ishte thënë ndryshe. U befasova pak që u publikua para disa ditësh. Por, për fat të keq, duket se ka njëfarë agjende pas saj”, vlerësoi Vajc në TV Kanal 5.

    Çfarë ka ndryshuar nga marsi deri më sot? Vajc shpjegoi se vlerësimi i tij në intervistë paraqet “vlerësimin për momentumin në fillim të marsit”. Ai rikujtoi se qeveria maqedonase “ka dhënë rezultate vitin e kaluar dhe kjo është vlerësuar me një shumë mjaft të madhe, rreth 76 milionë euro”.

    Sipas Vajc, meqë Maqedonia ka një periudhë grace, pra kohë shtesë për të përmbushur obligimet e nevojshme në kuadër të agjendës reformuese deri në qershor, nuk kishte çfarë të thuhej në atë moment, por ndërkohë ka përparim. “Disa hapa janë ndërmarrë ndërkohë, dhe ka njëfarë përparimi që do të ndodhë deri në qershor. Janë tetë nga dhjetë pika që duhet të përmbushen dhe të përfundojnë. Edhe pse qershori është shumë afër, unë shpresoj shumë që Qeveria do të arrijë t’i përmbushë. Në shtatë javët e fundit po shohim njëfarë përparimi”, deklaroi eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë në PE.

    Nëse Qeveria zbaton apo nuk zbaton reforma evropiane nuk është një këndvështrim subjektiv i një individi, i një ministri, deputeti apo një eurokomisari, por janë fakte të matshme përmes asaj që bën qeveria dhe institucionet. Ky është qëndrimi i ministrit maqedonas të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. Mucunski theksoi se në periudhën deri te periudha e fundit raportuese lidhur me agjendën reformuese, Maqedonia ka marrë 75 milionë euro – mjete nga fondi i Planit për Rritje. Sipas shefit të diplomacisë, koha është dëshmia më e mirë për të treguar nëse Qeveria apo kushdo tjetër ka të drejtë në deklaratat e veta.

    Dy muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të përcaktuar nëse Maqedonia e Veriut do të arrijë të përmbushë obligimet e saj dhe të ruajë mbështetjen financiare dhe politike nga Bashkimi Evropian. Përtej deklaratave politike dhe akuzave të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës, rezultatet konkrete do të jenë testi i vetëm real për seriozitetin e procesit reformues. Nëse qeveria arrin të përmbushë shumicën e pikave të kërkuara, kjo do të forcojë pozicionin e saj dhe do të japë sinjal pozitiv për integrimin evropian. Në të kundërtën, vendi rrezikon jo vetëm humbjen e fondeve, por edhe thellimin e skepticizmit për perspektivën evropiane, në një moment kur besimi i qytetarëve tashmë është i brishtë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ndalohet përkohësisht peshkimi në liqenin e Dibrës

    Lajmi i rradhës

    SUBVENCIONET BUJQËSORE | Kritere të rrepta dhe kalendar i ri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë