Jo vetëm që procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë publikohen me vonesë, i fundit është i datë 17 janar, por publikimi i të njëjtave në gjuhën shqipe vazhdon të neglizhohet në mënyrë konsekuente. Qeveria insiston në shpërfilljen e plotë të gjuhës shqipe, madje edhe kur i sjell andralla në korrespondencën zyrtare. Çështje teknike, siç janë munduar ta përligjin prej disa muajsh apo shpërfillje e qëllimtë? Paradoksi qëndron në shkëmbimet e dokumenteve që Qeveria ka me institucionet e tjera, si për shembull me Parlamentin, shkruan gazeta Koha.
Parashtresat që Qeveria ia dërgon kësaj të fundit, siç mund të jetë një propozim ligj për shqyrtim, janë gjithmonë në gjuhën maqedonase. Pas refuzimit nga Parlamenti ne arsyetimin se dokumenti është dorëzuar vetëm në gjuhën maqedonase, Qeveria e dërgon të përkthyer në gjuhën shqip, por asnjëherë të gjithë materialin.
Faqja e parë është gjithmonë në maqedonisht, ashtu edhe nënshkrimet e kryeministrit, apo të propozuesve të tjerë. Kjo vlen për të gjitha ministritë dhe titullarët shqiptarë, të cilët duhet të nënshkruhen në faqen me kirilicë. Krahas emrit dhe funksionit të shkruar në maqedonisht qëndron nënshkrimi i ministrit, zëvendësministrit, apo sekretarit shtetëror shqiptar. Injorimi i tillë i përmbajtjeve në gjuhën shqipe në faqen kryesore zyrtare të Qeverisë, por edhe të një pjese të institucioneve në varësi, nuk është komentuar prej saj.
Në vend të një përgjigje direkte, nga Qeveria janë arsyetuar se bëhet fjalë për zhvillimin e një portali të ri. Kështu kanë deklaruar dy muaj në parë, ndërkohë që situata mbetet e njëjtë. “Kur portali të jetë gati, ai do të përmbajë të gjitha informacionet që ju interesojnë. Ndërkohë, ruhet portali i vjetër, i cili është i pasigurt dhe është cak i sulmeve të shpeshta të hakerëve”, kanë deklaruar për Koha.
Që nga mbledhja e parë e Qeverisë e deri më sot nuk figuron asnjë material në gjuhën shqipe, me përjashtim të një mbledhje që është drejtuar nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti. Në total kjo Qeveri ka zhvilluar 45 mbledhje, ndërsa për gjashtë të fundit nuk janë publikuar ende procesverbalet. Por nëse transparenca nuk është anë e fortë, me propagandën prioritetet janë të tjera. Në portalin e Qeverisë nuk mungojnë të publikohen në kohë arritjet e qeverisë, madje në të dyja gjuhët. Një nga publikimet më të fundit në të dyja gjuhët është ai me titull “Mickoski: Si Qeveri bëjmë gjithçka për të rikthyer një pjesë të kohës së humbur dhe dinjitetit, që të mund të thoni se Maqedonia është përsëri e juaja”, apo “Mickoski në takime të rëndësishme në Uashington, lobojmë për interesat maqedonase”.