Në faqen në Facebook të Partisë Demokratike të Serbëve, kryetar i së cilës është Ivan Stoilkoviq, ministër i Vetëqeverisjes Lokale, është publikuar një tekst që glorifikon kriminelin e luftës Ratko Mladiq, shkruan Nistori.
Në tekstin e publikuar pas vdekjes së Mlladiqit në Hagë thuhet:
„Ratko Mladiq ishte një ushtar. Një gjeneral. Një njeri që e vuri jetën e tij në shërbim të ushtrisë dhe popullit të cilit i përkiste. Shumë serbë e shihnin atë si gjeneralin e tyre në atë kohë. Si njeriun që qëndroi para tyre kur ishte më e vështirë. Dhe kjo është arsyeja pse shumë do ta kujtojnë në atë mënyrë. Jo për Hagën. Jo për muret e burgut.“
Ratko Mladiq u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai u dënua, ndër të tjera, për gjenocidin në Srebrenicë, ku në korrik të vitit 1995 u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Pavarësisht dënimit të tij nga drejtësia ndërkombëtare, Mladiq vazhdon të glorifikohet në qarqe nacionaliste serbe. Tashmë, një qëndrim i tillë është shfaqur edhe në faqen e partisë së Stoilkovićit, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut.
Sot ndaj këtij glorifikimi kanë reaguar LSDM-ja dhe BDI-ja, ndërsa VMRO DPMNE-ja dhe kryetari i saj, Hristijan Mickoski, deri më tani nuk kanë reaguar.
LSDM-ja thotë se për Ivan Stoilkoviqin, Ratko Mladiq, „i dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit“, është një njeri i madh dhe një hero.
„Për të, ai është ‘gjenerali i tij’ – në mes të Maqedonisë. Kjo është pjesë e një agjende më të gjerë: Vuçiçi, agjenda ruse, investimet kineze, admirimi për Kinën… ‘Bota serbe’ tani edhe në formën e respektimit të kriminelit të luftës. Një ministër në Qeverinë e Mickoskit publikisht lavdëron një njeri të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë. Ky nuk është as një qëndrim personal dhe as një ‘dallim kulturor’. Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë: në këtë qeveri ka vend për ata që lavdërojnë kriminelët e luftës nga faqet më të errëta të historisë së Ballkanit.
LSDM-ja e dënon këtë akt me fjalët më të ashpra.
Mickoski duhet të përgjigjet: A është ky qëndrimi zyrtar i qeverisë së tij apo një qëndrim personal i ministrit të tij?“, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Mesazhe të ngjashme kanë ardhur edhe nga BDI-ja, e cila kërkon përgjigje nga VLEN-i nëse për këtë subjekt politik është shqetësues fakti që është pjesë e së njëjtës qeveri me një ministër, partia e të cilit glorifikon një kriminel lufte.
Sipas BDI-së, glorifikimi i Mladiqit „nuk është vetëm një çështje e së kaluarës“.
„Ky është një mentalitet kriminal që manifestohet publikisht sot nga një subjekt politik që është pjesë e qeverisë. Këta njerëz nuk po flasin për historinë. Ata po romantizojnë një person të dënuar për disa nga krimet më të rënda të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore“, thuhet në reagim.
Edhe VLEN dënoi fuqishëm glorifikimin e çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera të rënda.
“Akoma më shqetësuese është kur përmbajtje të tilla publikohen nga drejtuesi i një institucioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Kjo nuk është çështje shijesh apo bindjesh personale. Është çështje e standardeve të një zyrtari publik dhe e mesazhit që institucionet ua dërgojnë qytetarëve.”, shkruan VLEN. /Nistori/






