Qeveria mbyll veshët për kompaninë e “ndaluar”

    Dyshimet e ngritura ndaj kredibilitetit të kompanive që do të mbikëqyrin punimet në Korridorin 8 dhe 10-d, duket se akoma nuk kanë arritur në veshin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe ministrit të Financave, Fatmir Besimi.

    “Ministria e Financave vazhdon të mbrohet në heshtje duke mos dhënë asnjë arsyetim se si u bë që kompania spanjolle EPTISA, nga një kompani e cila sipas Qeverisë në nëntor të vitit 2020 kishte vepruar në mënyrë jo etike dhe jo ligjore, në shkurt të vitit 2021 të shndërrohet në kompani etike dhe ligjore dhe institucionet shtetërore dhe komunat të mund t’i besojnë projekte me vlerë mbi 1 milion euro. Hesht edhe Qeveria”.

    Alsat ka siguruar dokumentin i cili i referohet reagimit të kompanisë EPTISA mbi vendimin e Qeverisë për t’i ndaluar institucioneve bashkëpunimin në projekte me vlerë mbi 1 milion euro. EPTISA në reagimin e saj ka potencuar se konstatimin nëse një subjekt ka punuar në kundërshtim me ligjin nuk e jep Qeveria por organet përkatëse.

    “Nuk shohim asnjë bazë në konstatimet se EPTISA ka punuar në mënyrë “jo etike, jo ligjore dhe të papërgjegjshme si inxhinier mbikëqyrës” pa u analizuar apo pa u hartuar raport mbi punën e EPTISA-s. Vetëm me vendim gjyqësor ose vendim të organit përkatës mund të konstatohet se një kompani apo EPTISA ka punuar në mënyrë të tillë. Pa vendim gjyqësor Qeveria nuk ka as mundësi as bazë faktike të miratojë një konstatim të tillë”, thonë nga EPTISA.

    Konkursin për zgjedhjen e kompanive mbikëqyrëse të konzorcioumit i cili do të ndërtojë Korridorin 8 dhe 10-d “Bechtel&Enka” Qeveria e kishte ndryshuar dy herë. Ndërhyrjet ishin bërë gjatë rrjedhës së afateve për paraqitje. Në ndërhyrjen e parë organi ekzekutiv vazhdoi afatin e paraqitjeve, ndërsa në ndërhyrjen e dytë lehtësoi kushtet për kompanitë konkurruese duke hequr kushtin “vetëm firmat me bilanc pozitiv financiar”. Kjo sipas opozitës maqedonase është bazë që Prokuroria Publike të nisë hetimet për kurdisje tenderi.

    “Qeveria i mundësoi kompanive me bilanc në humbje të marrin pjesë në tenderë me vlerë 22 milion euro. Një kompani e tillë është EPTISA e cila gjatë viteve 2019-2021 ka regjistruar humbje me miliona. I bëjmë thirrje Prokurorisë që të mos presë dhe të vepron urgjentisht për zbardhjen e rastit”, deklaroi Bojan Stojanoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

    Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridorin 8 dhe 10-d e fitoi grupi i kompanive të udhëhequra nga “IRD Inzhinjering” në bashkëpunim me “Elektra Konsallting”, “EPTISA” dhe “Evro Konsallting”. Kjo e fundit rezulton të jetë kompani e themeluar nga Branisllav Dimitrijeviq i akuzuar për mashtrim në Armeni dhe i arrestuar në Kroaci më 21 prill 2021. Akuzat e autoriteteve armene i referohen punimeve në Korridorin Veri-Jug kur Dimitrijeviq ishte “team leader” i konzorciumit franko-spanjoll “Savezh-EPTISA”. Kompania e tij “Evro Konsalltin” e drejtuar nga djali i tij Zoran Dimitrijeviq në Maqedoni të Veriut ka mbikëqyrur punime në disa projekte infrastrukturore dhe investime kapitale, përfshi edhe ndërtimet në kuadër të projektit Shkupi 2014. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    NGRIRJA E ÇMIMEVE | Pas bukës radhën e ka qumështi

    Lajmi i rradhës

    Si raportuan mediat mbi idenë për asociacionin e komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë