PESË VJET “SHTO DHE SHKURTO”! Hartimi i projektligjit për kulturë

    Kanë kaluar më shumë se katër vjet kur Ministria e Kulturës pas debateve publike hartoi Ligjin e ri të Kulturës, i cili jo vetëm që nuk mori “aminin” e Parlamentit, por vazhdon të nxisë debate. Pas akuzave të Sindikatës së punonjësve të kulturës se edhe versioni i ri i këtij ligji duhet të tërhiqet, pasi është regresist dhe kufizues i të drejtave, Ministria e Kulturës ka reaguar duke sqaruar se versioni i ri i Ligjit gjatë muajve në vijim do të plotësohet edhe me vërejtjet dhe propozimet e sindikatave përpara se të kalojë në një debat publik gjithëpërfshirës.

    “Ministria e Kulturës njofton se projektligji për realizimin e interesit publik në kulturë, i është dorëzuar Parlamentit në janar të vitit 2020, për shkak të vërejtjeve të shumta të bëra në vetë diskutimin e tij, është tërhequr nga procedura e mëtutjeshme e miratimit. Duke qenë se kultura është jashtëzakonisht komplekse dhe heterogjene dhe prek interesat e realizimit institucional dhe joinstitucional, Ministria e Kulturës vendosi që draft-versioni i ri i Ligjit të zhvillohet në një proces gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës që do të përfshijë të gjithë aktorët”, thuhet në reagimin e Ministrisë. Grupi i punës, i ngritur nga ministrja Bisera Kostadinovska-Stojçevska, përgatiti pak muaj më parë versionin e ri, i cili i është dërguar edhe Sindikatës dhe SASHK që kanë afat për propozimin e ndryshimeve deri në 8 nëntor.

    Por çfarë përmban Ligji i ri i kulturës që shkaktoi dhe vazhdon të provokojë debat? Ndryshimi i tij thelbësor është kalimi nga interesi nacional në interesin publik të kulturës, por edhe një sërë ndryshimesh të tjera të cilët pas kundështimeve të anëtarëve opozitarë të Komisionit Parlamentar të Kulturës u bllokua për dy vjet më radhë, derisa Ministria e Kulturës e tërhoqi për të përpiluar një version të ri. Por me bllokimin e tij ngecën një sërë procesesh të planifikuara në Strategjinë e kulturës të socialdemokratëve, ku si më kryesoret ishin decentralizimi i institucioneve të kulturës, mënyra e financimit të projekteve në kulturë… e të tjera. Edhe pse në krye të Ministrisë gjatë këtyre viteve janë ulur pesë ministra, në fuqi vazhdon të mbetet ligji i vjetër, i miratuar në vitin 1998, i cili për gjatë njëzet viteve ka pësuar 16 ndryshime dhe plotësime.

    “Disa nga ndryshimet dhe plotësimet e viteve të fundit në ligj i kanë sjellë mospërputhjet deri në pikën e absurditetit, prandaj është nevojë urgjente miratimi i një ligji të ri”, thuhej në dokumentin që shoqëronte projektligjin që duhej të miratohej nga Komisioni. Por të pakënaqurit nga brenda Komisionit ishin jo vetëm të VMRO-DPMNE, por edhe nga pjesa shqiptare. Ndërsa VMRO-DPMNE arsyetonte se ligji do të fshijë çdo gjë “nacionale” dhe se favorizon “skenën e pavarur” në kurriz të interesit nacional në kulturë., anëtarët shqiptarë nuk ishin dakord sa i takon përcaktimit të “përqindjes” për mbështetjen e kulturës shqiptare. Partitë shqiptare u mjaftuan me disa amendamente, ndërsa VMRO-DPMNE ka arkivuar qindra të tilla, duke bërë të pamundur shqyrtimin. Sesi e ka ndryshuar drafti e ri Ministria e Kulturës, do të shihet në debatin publik që do të zhvillohet në muajt në vijim.

    Lajmi Paraprak

    Paratë e Berlinit, sa do të fitojë Maqedonia e Veriut?

    Lajmi i rradhës

    FRIKË NGA SHTRENJTIMI PAS VITIT TË RI

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë