QKRMT: Marrëveshja me Danimarkën për të burgosurit kërkon debat të gjerë publik

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) thekson se me vëmendje ka përcjellë zhvillimet e fundit për përgatitjen e Marrëveshjes e cila pritet të nënshkruhet nga Ministria e Drejtësisë me Mbretërinë e Danimarkës për transferimin e 300 të burgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

    Pas analizës mbi gjendjen aktuale në trajtimin e personave të privuar nga liria, QKRMT u bën thirrje autoriteteve të Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë që të shqyrtojë implikimet mbi të drejtat e njeriut në Kosovë.

    “Përkundër përmirësimeve të kushteve të vendosjes, sidomos në vitet e fundit pas hapjes së tri  institucioneve të reja korrektues (Burgut të Sigurisë së Lartë, Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë dhe Qendrës së Paraburgimit në Gjilan), QKRMT konsideron se me vendosjen e 300 të burgosurve nga Danimarka në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, atëherë ri-sistemimi i 200 të burgosurve që momentalisht gjenden në këtë Qendër, do të rezultonte në mbipopullimin dhe përkeqësimin e kushteve në qendrat tjera korrektuese”, thuhet në reagim.

    “Sipas Ministrisë së Drejtësisë, brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të akomoduar përafërsisht 700-800 të burgosur dhe të paraburgosur, gjë që bie ndesh me gjetjet tona të faktuara pas vizitave monitoruese. Hapësira të cilës i referohet Ministria e Drejtësisë do të ishte e disponueshme vetëm nëse të gjitha kapacitetet e qendrave të paraburgimit (pavijonet, blloqet, krahët) të ishin funksionale.

    Gjithashtu, hapësirat e mundshme që mund të identifikohen brenda shërbimit korrektues duhet të vlerësohen në bazë të kategorisë së të burgosurit përpara se të bëhet një transferim i tillë, pasi që vendet e lira në institucionet korrektuese, të cilave iu referohet Ministria e Drejtësisë janë brenda institucioneve specifike, gjë që është e pamundur që të transferohen të paraburgosurit nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan”, thuhet më tej.

    QKRMT kërkon debat më të gjerë publik rreth kësaj Marrëveshje për të diskutuar implikimet ligjore dhe të sovranitetit që ndërlidhen me juridiksionin ekstra-territorial të autoriteteve daneze në vendin tonë.

    “Nëse institucionet tona nuk do të mund të ushtrojnë autoritetin e tyre në respektimin e të drejtave dhe lirive për të gjithë individët brenda kufijve të saj, atëherë mbetet për t’u vlerësuar nëse Marrëveshja cenon sovranitetin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 1, paragrafi 2) ‘Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj’”, thuhet më tej.

    “QKRMT konsideron se institucionet e Kosovës së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë kanë punuar shumë për të përmirësuar kushtet e burgjeve dhe për ta afruar atë me standardet ndërkombëtare. Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës duhet të marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe të sigurohet që nënshkrimi i kësaj marrëveshje dypalëshe nuk do t’i bënte dëm progresit drejt avancimit të të drejtave të njeriut në Kosovë”, përfundon reagimi.

    Lajmi Paraprak

    Mehmeti: Janë në listën e SHBA-së por s’kemi bazë për arrestim

    Lajmi i rradhës

    Gjeniu i turmës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë