Gjeniu i turmës

    Charles Bukowski

    ka boll tradhti, dhunë, urrejtje, absurditet tek njeriu mesatar
    për të furnizuar çfarëdo ushtrie në çfarëdo dite.

    dhe më të mirët në vrasje janë ata që predikojnë kundër saj
    dhe më të mirët në urrejtje janë ata që predikojnë dashuri
    e, më në fund, më të mirët në luftë janë ata që predikojnë paqe.

    ata që predikojnë Zotin, kanë nevojë për Zotin
    ata që predikojnë paqe, nuk kanë paqe
    ata që predikojnë paqe nuk kanë dashuri

    ruhu nga predikuesit
    ruhu nga të diturit
    ruhu nga ata që gjithmonë lexojnë libra
    nga ata që ose e përçmojnë varfërinë
    ose janë krenarë për të.
    ruhu nga ata që janë të shpejtë në lavdërime
    sepse lavdërimet kanë nevojë t’ua kthesh
    ruhu nga ata që janë të shpejtë në censurë
    ata kanë frikë nga ajo që nuk dinë
    ruhu nga ata që kërkojnë turmat vazhdimisht
    sepse ata vetëm nuk janë asgjë
    ruhu nga burri mesatar dhe gruaja mesatare
    ruhu nga dashuria e tyre, sepse dashuria e tyre është mesatare
    kërkon mesataren

    por, ka diçka gjeniale në urrejtjen e tyre
    ka mjaft aq sa për të t’vrarë ty
    aq sa për të vrarë këdo
    duke mos dashur vetminë
    duke mos e kuptuar vetminë
    ata do të përpiqen të shkatërrojnë gjithçka
    që është ndryshe
    të paaftë për të krijuar art
    ata nuk do ta kuptojnë dot artin
    ata do t’i quajnë dështimet e tyre si krijues
    veç si dështime të botës
    të paaftë për të dashuruar plotësisht
    ata do të besojnë se dashuria juaj është e paplotë
    dhe pastaj do t’ju urrejnë
    dhe urrejtja e tyre do t’jetë e përkryer

    si një diamant shkëlqyes
    si një thikë
    si një mal
    si një tigër
    si një bimë helmuese

    arti i tyre më fin

    Përktheu: Mirela Kapaj

    Lajmi Paraprak

    QKRMT: Marrëveshja me Danimarkën për të burgosurit kërkon debat të gjerë publik

    Lajmi i rradhës

    Ancelotti i bindur që Mbappe dhe Haaland duan të luajnë për Real Madridin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë