Qoku: Në zgjedhje me LEN-in garoj si Vetëvendosje
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës për Maqedoni, Bekim Qoku për Alsat tha se Vetëvendosja në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni merr pjesë përmes tij, si aktivist i Lëvizjes. Ai tha se në këtë fushatë lëvizja Vetëvendosja do ta ndihmojë atë dhe LEN-in.
“Para do kohësh unë sapo mbylla një vizitë bashkë me krerët e LEN-it në Amerikë dhe atje unë shkova si anëtarë i Vetëvendosjes, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, nuk shkova si Bekim Qoku. Pra Vetëvendosje këtu merr pjesë përmes meje si aktivist i kësaj Lëvizje edhe unë gjej mbështetjen e Vetëvendosjes këtu duke marrë pjesë në këto zgjedhje. Në vitin 2020 nuk kishim përfaqësues, në këtë rast do të kemi edhe kandidat. Kështu që Lëvizja Vetëvendosje është këtu do të jetë pjesë e fushatës, do të më ndihmojë mua edhe aq sa mundet edhe LEN-in”, tha Bekim Qoku, Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës për Maqedoni.
ASh-ja të rreshtohet në krah të opozitës shqiptare
Duke folur për zhvillimet në ASH dhe vendimin që duhet të merr Kuvendi i ASh-së për zgjedhje, Bekim Qoku tha se do të ishte mirë që ASH-ja të rreshtohet krah opozitës.
“Unë pres shumë, vërtet kam besim te ASH, kam qenë pjesë e saj, i njohë ata njerëz janë njerëz të shkëlqyeshëm, ka njerëz shumë të mirë, tani hiq dy tre veta që kanë interesat e tyre personale dhe e bëjnë gjithë këtë rrëmujë tani për tani, por do të ishte vërtetë mirë që ASH-ja të rreshtohet krah opozitës. Aleanca është ngritur si opozitarizëm, është trashëgimtare e linjës politike, filozofike të Arbën Xhaferit i cili e kishte si sugjerim ngrohtësinë kombëtare, e kishte si plan program atë edhe këtë linjë e ka trashëgua edhe ASH dhe në këtë frymë të Arbën Xhaferit që kishte dje përvjetorit, është mirë që Aleanca të rreshtohet me opozitën. Jo për hir të opozitës, jo për inatet që ka pasur në atë kohë por për hir të një qëllimi më të madh që të bëjmë një ndryshim, që të rreshtohet në anën e duhur të historisë se vërtetë janë momente kur Aleanca për herë të parë mund të bëjë shumë, guri i saj mund të rëndojë shumë në këtë situatë”, tha Bekim Qoku, Këshilltar i kryeministrit të Kosovës për Maqedoni.