Qytetarët të revoltuar thonë se të dhënat e fundit për rritjen e shportës minimale të konsumit i konfirmojnë ankesat e tyre se nuk ka ulje të çmimeve të produkteve, ndërsa masat për gjoja lehtësim të situatës janë vetëm mashtrime.
“Që thonë janë ulur çmimet, unë I paguajta njësoj, siç kam ble më herët…
-Ju po thoni se shporta e vitit të ri nuk është se ka dhënë ndonjë efekt?
-Jo bre, vetëm gënjejnë ata. Vetëm ata që shesin kanë fituar për vitin e ri. Unë dje bleva, njësoj gati… ”, tha një qytetar.
“Mendoj se u shtrenjtuan, para se të ulen dhe për dallim prej para dy muajve, mendoj se janë çmime më të larta, edhe me lirimet”, tha një tjetër qytetar.
“Shumë shumë shumë shtrenjtë, se nuk kam kohë”, u shpreh një qytetar.
“Nuk është reale, sepse I rritën çmimet, fillimisht çmime të larta, pastaj I ulën, megjithatë nuk është ajo ajo, nuk shoh asnjë efekt në uljen e çmimeve”, u shpreh një tjetër qytetar.
Çmimet e larta të produkteve u kanë rënë në sy edhe mërgimtarëve, ata thonë se krahasuar me perëndimin, çmimet në Maqedoninë e Veriut janë pothuajse të njejta.
“Në Gjermani unë jetoj… Krahasuar me Gjermani, pothuaj se njëjtë janë, vetëm se këtu standardi është ndryshe, atje është ndryshe, më i lartë”, theksoi një qytetar.
“Unë kam ardh prej mërgimit, prej qeverisë së mëparshme kam shkuar në Kroaci, djalin nuk e kam pa 10 muaj duke ecur. Këtu janë çmimet katastrofë, edhe çdo qeveri që vjen është gënjeshtër, asgjë nuk bëjnë për popull, populli është duke ulëruar për bukë”, deklaroi një qytetar.
Sipas të dhënave të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, vlera e shportës minimale konsumatore për muajin dhjetor ka shkuar në 62.861 denarë, që krahasuar me muajin nëntor është rritur për 840 denarë. Nga ana tjetër, që nga 15 dhjetori, në fuqi është masa e ashtuquajtur “Shporta e Vitit të Ri”, ku rreth 1000 produkte që janë pjesë e shportës shiten me çmime më të ulëta për rreth 10 për qind. /Alsat/