Anketat e institucioneve të ndryshme të rajonit dhe amerikane tregojnë se qytetarët në vend nuk heqin dorë nga anëtarësimi në Bashkimi Evropian, por janë dëshpëruar nga mos fillimi i bisedimeve për tu anëtarësuar në BE. Ata më shumë preferojnë të shikojnë përfitime konkrete dhe më të shpejta ekonomike dhe financiare nga procesi i aderimit në BE, në vend të premtimeve të shumta për një jetesë më të mirë që do të sjellë ky proces. Rezultatet e ciklit të fundit të ë “Barometrit Ballkanik” tregojnë një rezultat kundërthënës apo të ndjenjave të dyfishta të shoqërisë në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor lidhur me anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Prosperiteti ekonomik mbetet një nga dy asociacionet më të rëndësishme lidhur me BE-në, mirëpo edhe liria për të udhëtuar dhe punuar brenda kufijve evropian ka përjetuar një tendencë në rritje. Pra, qytetarët e Ballkanit si një përfitim kryesor të pranimit në BE, në radhë të parë i shikojnë benefitet konkrete që do të pasqyroheshin në xhepin e tyre, në vend të demokratizimit të mëtejshëm të shoqërisë dhe përmirësimit të punës së institucioneve.
Njëherësh, këto prioritete për qytetarët e rajonit pasqyrohen edhe me tendencën e përgjithshme rajonale të migrimit të jashtëm që duket se po rritet, përkundër përpjekjeve nga ana e qeverive të rajonit për të ndaluar “ikjen e trurit”, që si duket – nuk ka ndonjë efekt më të madh, tregon analiza e “Barometrit Ballkanik”. Qytetarët e Maqedonisë preferojnë standardin më të lartë jetësor, dhe pagat më të larta para vlerave demokratike. Me fjalë të tjera, më shumë dëshirojnë mirëqenien ekonomike, lirinë për të udhëtuar, studiuar dhe punuar në Bashkimin Evropian para përmirësimit apo avancimit të standardeve demokratike këtu në Maqedoni. Rezultatet e Barometrit Ballkanik tregojnë se, vetëm gjysma apo 53 për qind e të anketuarve të qytetarëve të Maqedonisë thonë se anëtarësimi në BE, do të ishte i mirë për ekonominë, një e treta thonë se një hap i tillë nuk do të ishte as i mirë dhe as i keq, ndërsa 11 për qind vlerësojnë se ky do të ishte një hap i dëmshëm për ekonominë vendore.
Mbi 31 për qind e të anketuarve thonë se vendi asnjëherë nuk do të anëtarësohet, 31 për qind thonë se do të anëtarësohet në viti 2030, 25 për qind në vitin 2025-ën, dhe 21 për qind refuzojnë të përgjigjen lidhur me anëtarësimin e vendit në BE. Vlerësohet gjithashtu se Bashkimi Evropian po humb tërheqësinë e tij për qytetarët e vendit, që parapëlqejnë tani dhe menjëherë rritjen e pozitës së tyre ekonomike, si dhe mundësinë që të udhëtojnë dhe punojnë lirshëm brenda Evropës pa viza dhe pengesa të ndryshme burokratike, ndërsa sa vjen e më pak shikojnë në BE si një fortesë të demokracisë dhe sundimit të se drejtës. Në ndërkohë, anëtarësimi në BE ka 79 për qind përkrahje të opinionit në Maqedoninë e Veriut, por përqindja e atyre që vlerësojnë se vendi është më afër anëtarësimit në BE tani se sa në vitin 2005, kur vendi fitoi statusin e vendit kandidat. Megjithatë, ky mendim në tre vitet e fundit shënon rënie nga 57 në 32 për qind.
“Anulimi dhe ngecja në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, pas vetos së fundit të Bullgarisë ndikon si duket në bindjen e qytetarëve se mund të ketë përparim në procesin paraqasës”, thotë Pol Mekarti , drejtor i IRI për Evropën. Por, fatmirësisht – kjo nuk ka zvogëluar entuziazmin e tyre për potencialisht qëllimin afatgjatë për anëtarësimin në BE, shton ai. Të pyetur për problemet më të rëndësishme që i mundojnë, qytetarët në anketën e realizuar në muajin prill të këtij viti me 23 për qind kanë theksuar papunësinë dhe 22 për qind mungesën e qasjes ndaj vaksinave. Brengosje të madhe me 14 për qind është shfaqur në anketë edhe me situatën ekonomike, si dhe 7 për qind me varfërinë dhe standardin e ulët dhe me 5 për qind me pagat dhe pensionet e ulëta, tregon anketa e fundit e IRI-t. /Kohamk//