Qytetarët e RMV nuk besojnë në anëtarësimin në BE

    Rritet numri i qytetarëve që besojnë se Maqedonia nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Nga Organizata “Lëvizja Evropiane” informojnë se në vitin 2021, 22% e qytetarëve kishin pasur këtë qëndrim, por vitin e kaluar u rrit në 28%. Një pjesë e politikanëve këtë tendencë ia atribuojnë pritjes së gjatë për fillimin e negociatave për anëtarësim. Tani, siç theksoi presidenti Stevo Pendarovski, në tribunën e Fondacionit Konrad Adenauer, detyrimi ynë janë ndryshimet kushtetuese dhe u bëri thirrje deputetëve.

    “U bëj thirrje të gjitha partive politike pro-evropiane dhe deputetëve në parlament të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe kjo zgjedhje është e thjeshtë. Ose interesat e partisë ose e ardhmja evropiane e shtetit të Maqedonisë”, tha Stevo Pendarovski, president.

    Kreu i shtetit theksoi se aktualisht prioritet janë ndryshimet kushtetuese, por ka edhe reforma të vështira për shoqërinë. Siç thonë disa nga ambasadorët në vend, reformat po zbatohen gjatë procesit të negociatave që vendi të hyjë në BE i përgatitur. Megjithatë, edhe ata thonë se për momentin fokusi është në ndryshimin e kushtetutës.

    “Unë nuk dua të inkurajoj askënd që të hyjë në këtë diskutim, por të bëj thirrje për hapje, përgjegjësi politike dhe të merren parasysh qëllimet dhe interesat afatgjata të këtij vendi dhe të ardhmen e tij brenda Bashkimit Evropian”, u shpreh Dejvid Gir – Ambasador i BE-së.

    “Polarizimi në debatin politik në Maqedoninë e Veriut duhet të zëvendësohet me dialog politik konstruktiv në mënyrë që të ndërtohet konsensus kombëtar në lidhje me qëllimin e integrimit evropian”, deklaroi Ami Larson Jain – Ambasadore e Suedisë.

    Ambasadori suedez, vendi i të cilit aktualisht kryeson presidencën e BE-së, tha se qëllimi i anëtarësimit në BE deri në vitin 2030 është i arritshëm, por kjo varet nga reformat që zbatohen. Komisioneri i BE Oliver Varhei një ditë më parë tha se këtë vit do të merren vendime kyçe mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe procesi i pranimit do të përshpejtohet për vendet e Ballkanit Perëndimor, por ai nuk ndau më tepër hollësi mbi planin e ri të Brukselit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Gjermani, sekretari i shtetit u largua për nepotizëm

    Lajmi i rradhës

    Kovaçevski: Zëvendësimi i 20%-it me gjuhën shqipe nuk është prioritet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë