Në emër të shtimit të natalitetit kryeministri Hristijan Mickoski tha se mendon seriozisht për tatim shtesë për të ata që nuk martohen. Qytetarët thonë se tatimi për të pamartuarit është e fundit që duhet të mendohet. Sipas tyre në vend të masave të tilla duhet t’i mundësohet të rinjve jetë me e mirë, më shumë punësime e paga me të larta.
Më shumë subvencione për punësimin e të rinjve, më shumë siguri në vend, një ekonomi më stabile dhe martesat nuk do të mungojnë. Kështu kanë porositur një pjesë e banorëve kryeministrin e vendit Hristijan Mickoski, pas deklaratës së tij se beqarët do duhet të paguajnë tatim shtesë. E për ata që do duan të mbesin beqarë, banorët thonë se duhet të paguajnë sepse Liria kushton.
“Mirë ka vendosur kryeministri por duhet ditur diçka. Nuk është se nuk martohen të rinjtë por nuk qëndrojnë në Maqedoni, sepse nuk shohin të ardhme të sigurt në këtë vend……. Prandaj në vend të tatimeve qesharake që propozon kryeministri më mirë është ta forcoj sundimin e shtetit ligjor”, tha një qytetar.
Gazetari:Po ata që s`duan të martohen?
“E Liria kushton, do paguajnë tatime”, tha një qytetar.
“Si qytetar i këtij vendi mendoj se është hap i gabueshëm. Gjitha normat njerëzore e fetare, Zoti e krijoi njeriun dhe ia bëri martesën që të shtohet shoqëria, gjitha metodat e tjera janë në kundërshtim me esencën e qenies njerëzore”,theksoi një tjetër qytetar.
“Mendoj se Qeveria duhet të nxjerr benefite më reale për të rinjtë që të mos dalin në Evropë. Tetova është boshatis krejt. Duhet të ketë benefite më serioze. Besoj se nuk duhet të bëhet kjo sepse është shumë private”, u shpreh një tjetër qytetar.
Në diskutimin e një dite më parë për krijimin e politikave demografike dhe sociale, kryeministri e krahasoi uljen e numrit të banorëve në shtet, me zhdukjen e një qyteti të vogël. Për katër vitet e fundit, vendi ka 33 mijë banorë më pak. Mickoski tha se kjo është njësoj sikur të zhdukej një qytet me madhësinë e Kavadarit ose Kërçovës./Alsat/