Qytetarët në RMV jo të sigurt në rrjetet sociale!

    Një numër i madh qytetarësh në vitin që lamë pas  janë përballur me abuzim të profilit të tyre me anë të publikimit të fotografive, videove, apo audio-incizimeve në profile të tjera, si edhe me shpifje, ofendime, dhe shantazhe në internet. Probleme më të mëdha sipas të dhënave nga raporti vjetor i Agjencisë për Mbrojtjen e të dhënave personale, kanë pasur rrjetet sociale si “Facebook-u” dhe “Instagram-i”, por që ankesa të qytetarëve ka pasur edhe për rrjetet tjera sociale.

    Gjatë vitit të kaluar shumica e ankesave të paraqitura në Agjencinë për Mbrojtjen e të dhënave personale, ose 77% e numrit të përgjithshëm të ankesave kanë qenë për abuzime në rrjetet sociale.

    “Sipas arsyes së raportimit, më karakteristike janë ankesat nga persona fizik që i referohen profileve të rreme, profileve të hakuar, ankesa që kanë të bëjnë me publikimin e fotografive, videove, apo audio-incizimeve në rrjetin social të një personi tjetër, si edhe me shpifje, fyerje, apo shantazh në internet. 8 kërkesa i referohen zbulimit të një autori, ndërsa 2 kërkesa i referohen kërkesës për udhëzime mbrojtjeje gjatë hyrjes në rrjete sociale. Nga numri total i ankesave, 9 i referohen shkeljes së të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të të miturve në rrjete sociale. Sipas rrjetit social të cilit i referohen ankesat, numër më të madh ka Facebook-u (116), pas tij është Instagram-i me (103) ankesa, dhe (18) i referohen rrjeteve tjera sic janë Youtube, TikTok, Twitter, Snapchat, etj”, shkruhet në Raportin vjetor të Agjencisë për Mbrojtjen e të dhënave personale.

    Nga atje informojnë se gjatë vitit të kaluar janë proceduar 300 ankesa, prej të cilave 284 janë dorëzuar nga persona fizik dhe 16 nga persona juridik. Nga numri i përgjithshëm i ankesave 203 janë dorëzuar në mënyrë elektronike, dhe 97 janë dorëzuar me shkrim.

    “Është konstatuar se nga numri i përgjithshëm i ankesave, 77% e tyre janë për keqpërdorim të rrjeteve sociale dhe 23% janë lloje tjera të ankesave në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Arsyet e ankesave të paraqitura sipas kategorive në përqindje të numrit të përgjithshëm të tyre tregojnë se 23% e ankesave kanë të bëjnë me marketingun e drejtpërdrejt, pamundësinë e tërheqjes së pëlqimit të dhënë, mosdhënien e kushteve për ushtrimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave personale, dhe veçanërisht të drejtën e qasjes, korrigjimit ose fshirjes së të dhënave personale, përpunimi i tyre përmes sistemit të mbikëqyrjes video, mosdhënia e informacionit paraprak për subjektet e të dhënave personale në lidhje me mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave personale”, thuhet në raportin e Agjencisë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë duhet të bëni kur fëmija juaj bie nga shtrati?

    Lajmi i rradhës

    Mjekët nga Shkupi të shpërndahen edhe në qytete tjera

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë