Qytetarët në RMV pesimistë për të ardhmen, shkak pagat e ulëta dhe rritja e çmimeve

    Standardi i jetesës, pagat e pensionet e ulëta, krimi e korrupsioni, rritja e çmimeve dhe inflacioni janë vetëm disa nga problemet e mëdha me të cilat po përballen qytetarët e vendit dhe e gjithë kjo sipas rezultateve të sondazhit nga Instituti Nacional Demokratik, i cili në fokusin e tij ka problemet ekonomike që shqetësojnë qytetarët dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Në bazë të këtyre rezultateve 56% e qytetarëve vlerësojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar dhe vetëm 11.1% besojnë se vendi është në rrugën e duhur, ndërsa 31.3% kanë qëndrim neutral.

    Politikat e gabuara të qeverisë, vetë politikanët, papunësia e varfëria janë arsyet kryesore për të cilat qytetarët kanë vlerësuar se rruga në të cilën po ecën vendi është e gabuar. 4.3% e të anketuarve problemin e shohin tek emigracioni, ndërsa 3% mendojnë se problemi që vendi po shkon në drejtim të gabuar qëndron tek negociatat me BE-në dhe tek çështja me Bullgarinë. Integrimin në BE dhe çështjen e hapur me Bullgarinë si problem kryesor me të cilin po përballet shteti e shohin vetëm 6.7% e të anketuarve e që është në vendin e pestë të sondazhit, aty ku mbizotërojnë problemet ekonomike, përderisa në krye të listës së problemeve me 27.7% të të anketuarve qëndrojnë standardi i jetesës, pagat dhe pensionet e ulëta. 58% e të anketuarve janë shumë të shqetësuar për standardin e reduktuar të jetesës, 4 nga 10 të anketuar (60%) pjesën më të madhe të buxhetit familjar e shpenzojnë në ushqim. Gati gjysma e popullsisë (48%) thonë se shpeshherë e kanë problem pagesën e faturave në fund të muajit, ndërsa qytetarët me status-quo më të ulët (89%) dhe ata që jetojnë në zona rurale (53%) e kanë të vështirë edhe mbulimin e shpenzimeve jetësore.

    Pjesëmarrësit në këtë anketë janë shprehur pesimistë për të ardhmen dhe pothuajse 40% e tyre besojnë se gjendja do përkeqësohet edhe më shumë në 12 muajt e ardhshëm. 71% e tyre janë shprehur se mbështesin partitë që kanë një plan të caktuar për përmirësimin e gjendjes ekonomike. Shumica prej të anketuarve duke kritikuar masat e fundit kundër krizës ekonomike janë të mendimit se qeveria nuk po përballet mjaftueshëm me këto sfida.

    Kategoritë sociale që janë edhe kategoria më e prekur nga kriza për shkak të ardhurave të ulëta kanë humbur fuqinë e tyre blerëse edhe për ushqimet bazë. Shumica e qytetarëve (91%) besojnë se rritja e çmimeve është kërcënimi më i madh për gjendjen e tyre financiare dhe sugjerojnë që qeveria ti jap përparësi “stabilitetit të çmimeve”. Nga ana tjetër, ata mirëpritën vendimet e qeverisë për ngrirjen e çmimeve, rritjen e pagës minimale, dhe kufizimi i marzhës së fitimin për produktet ushqimore bazë. 67% mendojnë se qeveria duhet të vazhdojë me subvencionet për produktet ushqimore bazë, 48% janë për vazhdimin e subvencionimit të faturave të  energjisë elektrike si masë për zbutjen e efekteve negative të krizës. Në planin afatshkurtër shumica mendojnë se ulja e çmimeve për produktet bazë ka efekte, por që kjo duhet të plotësohet me masa afatgjata siç janë rritja e pagave dhe pensioneve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Përgjegjësi e dobët e ndërmarrjeve publike në RMV ndaj denoncuesve

    Lajmi i rradhës

    Dibrës i kthehet epidemiologu i pensionuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë