Radha është e debatit për shkarkimin e zv. ministrave

    Pas shkarkimit të ministrave të Alternativës dhe zgjedhjes së ministrave të rinj, radhën për shkarkim e kanë disa zv/ministra. Në mesin e tyre është zv/ministri i Mbrojtjes nga radhët e BDI-së, Bashkim Hasani, i cili cilëson aktin si hakmarrje politike vetëm për shkak se firma e tij është në letrën e pakënaqësisë të drejtuar kreut të partisë Ali Ahmeti, nga i ashtuquajturi “Grupi i zjarrit”. Këto detaje Hasani i dha në Programin 200 në Alsat.

    “Është një lloj hakmarrje dhe një lloj diferencimi politik, njëjtë si në sistemin e shkuar, njerëzit të cilët kanë menduar ndryshe apo nuk janë pajtuar me ndonjë politikë, janë ndëshkuar dhe janë diferencuar. Fatkeqësisht kjo ndodh edhe në BDI-në e tjetërsuar nga Artani, të gjithë ata të cilët nuk mendojnë si Artan Grubi të ndëshkohen dhe të diferencohen politikisht. Arsyeja është që jam pjesë e këtij grupi dhe nuk kam qenë aspak i njoftuar, veçse kur kam kuptuar nga shërbimet e parlamentit që propozimi për shkarkim ka ardhur në parlament”, deklaroi Bashkim Hasani, zv/ministër.

    Në vendin e Bashkim Hasanit do të vijë Tiron Jajaga nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Kuvendi tashmë ka nisur debatin edhe për shkarkimin e dy zv/ministrave të tjerë të cilët janë nga Alternativa; zv/ministrit të Bujqësisë, Abdulshyqyr Abedini dhe zv/ministrit të Arsimit, Lulzim Aliu.

    VMRO-DPMNE-ja thotë se kryeministri nuk ka argumentuar asnjërin nga emërimet ose shkarkimet e bëra në kuadër të rikonstruimit por ka ndjekur preferencat e BDI-së.

    “Sot edhe harabelat në degë e kanë të qartë se këtë rikonstruim e ka bërë BDI-ja me qëllim që të shkatërrojnë edhe një parti tjetër opozitare të bllokut shqiptar, rejtingu i të cilës do të shkrihet si copë akulli në temperaturë 50 gradë. Do të blejnë një ditë më tepër, do t’i minimizojnë grupin e zjarrit dhe do ta përforcojnë vëmendjen që e kanë marrë, të paktën për momentin. Në fushë, ujqërit kanë parë një fshat pa qenë dhe u janë vërsulur deleve. Me hyrjen e Aleancës për Shqiptarët e mbrojtët Artan Grubin, por ai me ju do të jetë vetëm për aq kohë sat ë jeni në pushtet, ashtu siç ishte dhe me Mijallkovin”, u shpreh Eli Panova, VMRO-DPMNE.

    Debati në Kuvend për shkarkimin e zv/ministrave pritet të zgjasë po aq sa debati për shkarkimet dhe emërimet e ministrave, për shkak se pjesa më e madhe e deputetëve të VMRO-DPMNE-së do të marrin fjalën në foltore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nga 1 marsi buka do të shitet 33 denarë

    Lajmi i rradhës

    Hasani: Të hetohet Artan Grubi, puna e “Grupit të zjarrit” është e pastër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë