Rama paralajmëron biznesin: Rregulloni deklarimet e pagave deri më 20 janar ose do dënoheni për evazion fiskal

    Kryeministri Edi Rama këtë të enjte e konsideroi publikimin e pagave të qytetarëve si një ngjarje të shëmtuar, duke e etiketuar si “një e keqe që s’vjen gjithmonë për keq” dhe nisur nga kjo nuk harroi t’i bëjë thirrje kompanive private që të rregullojnë deklarimet e pagave deri më 20 janar, ose përndryshe do të dënohen për evazion fiskal.

    Në një konferencë për mediat, Rama tha se ekspozimi i pagave personale është i papranueshëm, por sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë e gjithë shqiptarëve.

    Me pagat ka ndodhur së fundmi një ngjarje shumë e shëmtuar dhe shqetësuese, por pjesa kriminale e ngjarjes është një pjesë që i takon Prokurorisë, e cila po heton në mënyrë intensive. Kam arsye të besoj se do kemi rezultate dhe kush e ka bërë, do përgjigjet para ligjit. Në këndvështrimin më afatmesëm, kjo ngjarje mund të quhet edhe siç thuhet, jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Ekspozimi i të dhënave personale me pagat është i papranueshëm, por nga ana tjetër, sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë e gjithë shqiptarëve që kanë parë atë pasqyrë. Askush mos të thonë se po sulmojmë dikë. Ne kemi kohë që i dimë pagat. Nuk është një situatë e ngjashme me ato më parë, por është e papranueshme. Askush nuk mund të thotë që po sulmojmë mediat”, tha Rama.

    Kryeministri theksoi se do u kërkohet kompanive private në Shqipëri që të vetërregullohen deri më 20 janar, pasi kjo datë korrespondon me rregullimet e reja.

    “Të gjitha ato kompani që japin paga fiktive të rregullojnë deklarimet. Në dijeninë time ka nisur apo do nisë një letër për tatimpaguesit me deklarime shqetësuese që rezultojnë në mospërputhje flagrante me kapacitetet e tyre, duke ju kërkuar të vetëdeklarohen deri në 20 janar. Dhe në rast mosvetërregullimi do ketë hetim të thelluar për evazion. Evazioni dënohet me burg”, tha ai.

    Kryeministri theksoi ndër të tjera se puna me dy bordero krijon një situatë mbytëse për sistemin dhe për këtë arsye qeveria ka përgatitur një plan, pasi sipas tij nuk mund të pritet gradualitet dhe kjo për arsyen se vit pas viti është zgjedhur gradualiteti për rregullimin e sistemit me idenë për të mos krijuar situata mbytëse për biznesin, por që s’mund të pritet për njerëzit që punojnë dhe nuk marrin në të bardhë atë që u takon.

    Një gjë të tillë Rama e konsideroi si shitje të vullnetit dhe të ardhmes së tyre, pasi pagat miminale të deklaruara dhe që shoqërohen me para CASH, godasin të ardhmen e individit.

    Ne nuk mund të vijojmë të presim gradualitet se kemi zgjedhur gradualitetin vit pas viti për rregullimin e sistemit e për të mos krijuar situata mbytëse për biznesin por nuk mund të presim për njerëzit që punojnë dhe nuk marrin në të bardhë atë që u takon, duke shitur vullnetin e tyre dhe të ardhmen, sepse te pagat minimale të deklaruara, që shoqërohen me para CASH, goditet e ardhmja e individit pasi sigurimet për pensionin janë shumë më të ulëta, goditen të ardhurat e skemës së pensioneve e bllokohet mundësia për të rritur pensionet”, tha ai.

    Kryeministri theksoi se ky proces do të shoqërohet me hetim pasuror të të gjithë atyre kompanive dhe biznesmenëve që deklarojnë paga minimale apo nën atë që realisht paguhen.

    Kjo do shoqërohet dhe me një reformë të re e të shpejtë që edhe kjo na gjeti si ngjarje në përgatitje për të ndarë në një mënyrë teknike biznesin e vogël nga hapësirat që i japin atyre që fitojnë shumë të sillen si biznes i vogël, pra të bëjnë cirk”, tha Rama./TCH/

    Lajmi Paraprak

    ​Nagavci: Prej prioriteteve tona është parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve në shkolla

    Lajmi i rradhës

    Kotësia e festave të tilla

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë