Rama paralajmëron vështirësi ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të martën për krijimin e një komiteti ndërministror për përballimin e pasojave të luftës në Ukrainë.

    “Ne nuk jemi në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por jemi si të gjitha vendet tjera të NATO-s… në kushtet e kërcënimit të përditshëm ekonomik”, tha Rama, duke iu referuar rritjes së furishme të çmimeve të produkteve bazë.

    Çmimet kanë qenë në rritje edhe më parë, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, por kanë vazhduar të rriten edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt.

    Lufta në Ukrainë ka rritur në veçanti çmimet e energjisë.

    Shqipëria, sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit dhe Evropës, tash e sa muaj përballet me krizë energjetike.

    Duke e vlerësuar energjinë si “palcën e shtyllës kurrizore të të gjithë sistemit ekonomik”, Rama tha se kriza energjetike po thellohet “jo çdo muaj, por çdo ditë”.

    “Shqipëria është drejtpërdrejt e prekur si vendet e tjera”, tha ai.

    “Çmimi i naftës nuk varet nga Qeveria, nuk është Qeveria në tregun e lirë… që ngre çmime apo që ul çmime të mallrave të konsumit. Është tregu dhe tregu është super i ndjeshëm”, shtoi Rama në konferencën për gazetarë.

    Ai bëri thirrje për “përgatitje për çdo skenar” me komitetin e ri ndërministror, “përfshirë edhe situata shkurtimesh dramatike të furnizimeve me energji apo me naftë”.

    Shqipëria është rreshtuar me shtetet e NATO-s në përkrahje të Ukrainës dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

    Për këtë qëndrim të Shqipërisë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka falënderuar Ramën gjatë një bisede telefonike në fundjavë.

    Rusia, ndërkaq, e ka futur Shqipërinë në listën e “shteteve jomiqësore”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Si t’i mësojmë fëmijët të pranojnë humbjen gjatë lojës?

    Lajmi i rradhës

    Sa vite duhet të kalojnë që të dënohen Grujevski dhe Boshkovski?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë