RASTI “ALFA” | Lloga: Së shpejti do të kemi rezultate konkrete për këtë çështje

    Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga deklaron se në burgjet e Maqedonisë së Veriut po qëndrojnë njerëz të pafajshëm, përcjell Nistori.

    “Kam bindjen se në burgje qëndrojnë njerëz të pafajshëm, por këtë duhet ta dëshmojmë në procese adekuate”, tha Lloga në emisionin “Click Plus”.

    Lloga këtë e tha për rastet e montuara, përfshirë edhe rastin “Alfa”.

    Lloga theksoi se do të kërkohet vlerësim nga një komision i BE-së.

    “Ne do të kërkojmë vlerësimin e komisionit nga BE që ta dëshmojmë këtë. Janë më shumë se dy raste dhe për këtë tashmë ka komunikime zyrtare”, tha Lloga.

    Lloga tregon se çfarë do të bëjë për rastin “Alfa”

    Ministri tha se derisa ka qenë jashtë Ministrisë së Drejtësisë, ka pasur informacione të tjera, ndërkaq me angazhimin e tij ai është përpjekur që të marrë informacione më të detajuara për procesin.

    “Në një të ardhme shumë të afërt do të kemi rezultate konkrete për këtë çështje”, tha Lloga.

    “Në rastin e parë që do të kemi takime me kryetarët e gjykatës dhe këshillin gjyqësor që të mund të procesohet rasti me ekspertizën në fjalë”, thotë Lloga për ekspertizën e bërë nga familjarët e Islamit në Serbi, pasi në vend nuk bëhet një ekspertizë e tillë.

    Nuk duhet të na përsëriten rastet si “Sopoti”

    Lloga tha se do të kërkojë nga kryetarët e gjykatave dhe nga këshilli gjyqësor që të procesohet rasti me ekspertizën e bërë në Serbi, duke shtuar se nuk do të lejojë që të përsëriten rastet si “Sopoti”.

    “Nuk duhet të na përsëritet rasti “Sopoti” që me vite të qëndrojnë në burg dhe mos të jetojnë jetën, siç ndodhi edhe me të moshuarin që vdiq pas disa ditësh”, tha Lloga.

    Lloga: Sfidë e madhe për ne mbetet përfaqësimi i drejt etnik në administratën publike

    Një nga prioritet që pritet të përmbushë Lloga deri në fund të mandatit do të jetë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i përfaqësimit etnik në administratën publike.

    “Si sfidë e madhe për ne mbetet ajo që e kemi pasur edhe në programin e vitit 2020 si parti, shtet për të gjithë ku kemi thënë se do të sjellim ligj të drejtë dhe adekuat që do të lidhet me përfaqësimin etnik, por edhe të grupeve të margjinalizuara në administratën publike”, tha Lloga.

    “Lista e zezë e amerikanëve” / Lloga: Do të ishte lajm i mirë nëse do të ishte gjithëpërfshirëse

    Ministri tha se “lista e zezë e amerikanëve”, është një lajm jo i mirë për drejtësinë në vend, sepse do të thotë që ne nuk kemi kapacitet në këtë fushë. Por, sipas Llogës, nga ana tjetër do të ishte një lajm i mirë nëse kjo listë do të ishte gjithëpërfshirëse.

    “Fakti që duhet ndërhyrja e ShBA-ve do të thotë se nuk kemi kapacitet tona që të luftojmë këta individë apo këto dukuri negative. Do të ishte lajm i mirë që kjo listë e zezë të ishte gjithëpërfshirëse, por lajm i keq për sistemin e drejtësisë në Maqedoni. Aftësia dhe paaftësia është e mbjellë shumë vite më parë, unë nuk mund të marr përgjegjësinë e tre viteve më parë.”, tha ministri Lloga.

    Lloga për ASh-në: VMRO e mori goditjen, e humbi partnerin për të ardhmen

    Ai ka folur edhe për koalicionin e mëparshëm ndërmjet partisë nga ku vjen ai, Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-së.

    “Fakti që Aleanca për Shqiptarët u sulmua aq shumë nga VMRO për këtë pjesë, është sepse ata morën goditjen brenda llojit të vet sepse humbën një partner për të nesërmen”, tha Lloga.

    Shtoi se për ASh-në të vetmit partner mbeten ata që janë të drejtuar drejt Bashkimit Europian. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    NDRYSHIMET NË KODIN ZGJEDHOR: ASh dhe BDI kundër një njësie

    Lajmi i rradhës

    Xi Jinping fiton mandatin e tretë si president i Kinës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë