NDRYSHIMET NË KODIN ZGJEDHOR: ASh dhe BDI kundër një njësie

    Ministria e Drejtësisë gati një vit nuk mund ta formoj grupin punues nga përfaqësues të të gjitha partitë politike për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor. E gjitha kjo për shkak se nga VMRO-DPMNE, kanë refuzuar të dërgojnë përfaqësues të tyre në grupin punues. A do të arrij ministri i ri i Drejtësisë, Krenar Lloga, të bind VMRO-DPMNE-në që të dërgoj përfaqësues në grupin punues për ndryshime në Kodin Zgjedhor, gjë që nuk arriti ta bëjë ish-ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançevski. Ende nuk dihet se a do ta formoj grupin punues Lloga, pa përfaqësues të VMRO-së apo do të pres një përgjigje nga ata. Jo zyrtarisht, LSDM-ja është duke përgatitur ndryshime në Kodin Zgjedhor në pjesën e modelit zgjedhor, që është kërkesë e RDM-së në pushtet për mbështetjen e mëtutjeshme të shumicës parlamentare.

    Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka deklaruar se në ditën e dytë pasi ka marrë detyrën, ka dërguar letër deri te partia opozitare VMRO-DPMNE për të propozuar një përfaqësues të tyre në grupin punues për hartimin e ri të Kodit Zgjedhor. “Besoj se VMRO do të dërgoj përfaqësuesin e tyre për të kompletuar grupin punues dhe për të mbajtur seancën konstituive”, sqaroi Lloga. Nga ana e VMRO-së, kanë thënë se deri më tani nuk kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në grupet punuese për Kodin Zgjedhor. “Para se të vendoset diçka, është mirë të dëgjohen të gjitha qëndrimet e koalicionit qeveritar, BDI-së, LSDM-së dhe të tjerëve nga shumica qeveritare për një njësi zgjedhore”, shprehen nga VMRO.

    NË RAST TË NJË NJËSIE, NEVOJA PËR PRAG E PA SHMANGSHME

    Ish-anëtari i KSHZ-së, Enver Salihi, për gazetën KOHA, ka deklaruar se në të shumtën e rasteve ndryshimet e Kodit Zgjedhor vijnë si rekomandim i këshillave zgjedhore, prej rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare si Komisioni i Venedikut dhe OBSE-ODIHR, organizatave joqeveritare dhe nga kërkesat e partive politike. “Padyshim se krijimi grupeve të punës për ndryshimin e Kodit zgjedhor është një lajm i mirë, por në këto bisedime duhet të marrin pjesë edhe sektori civil e jo t’ju shërbej si dekor në takimin e parë kurse të mungojnë atëherë kur bihen vendimet. Ndryshimet për një njësi zgjedhore janë kërkesë e partive më të vogla si mundësi për përfaqësim të tyre në Kuvend por duhet patjetër të vendoset një prag zgjedhor me më së paku tre për qind i cili do të pamundësonte rrymat radikale të bëhen pjesë e Kuvendit dhe në të ardhmen me destruktivitetin e tyre të bllokojnë institucionet”, u shpreh Salihi. Ai ka shtuar se janë shumë pak vendet ku me një njësi zgjedhore nuk kanë prag zgjedhor andaj duhet që medoemos të kemi të njëjtën që të mbrohemi nga devijimet e mundshme”, nënvizon Salihi. Në fund, Salihi ka thënë se sipas rekomandimeve të Komisionit të Venedikut ndryshimet e Kodit bëhen më së paku një vit para mbajtjes së zgjedhjeve. “Derisa te ne jemi mësuar me “aksham pazare” të katër forcave politike në dëm të të gjithë qytetarëve e nëse vërtetë kanë vendosur të ndryshojnë diçka, momenti është tash”, shprehet në fund ai.

    Ndryshe, Tupançevski disa herë e shtyu afatin për themelimin e këtij organi me shpresën se partia më e madhe opozitare do ta emëronte anëtarin e vet, pasi VMRO-DPMNE e kushtëzoi themelimin e grupit punues me datë për zgjedhje. Në praktikën e mëparshme, ndryshimet në rregulloren zgjedhore janë bërë gjithmonë me konsensusin më të madh të mundshëm. Prandaj, është e pasigurt nëse grupi punues do të fillojë fare me përgatitjen e rregullave të reja zgjedhore. Gjithashtu është e paqartë nëse mund të arrihet një konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në pjesën e modelit zgjedhor në vend të atij të ri, nëse dihet se nuk ka marrëveshje mes partnerëve qeveritarë për këtë.

    ASH E BDI KUNDËR NJË NJËSIE ZGJEDHORE

    Kundër një njësie zgjedhore janë dy partitë më të mëdha shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptarët. Nga ASH thonë se edhe pse kanë hyrë në Qeveri nuk ka ndryshim në qëndrimin e tyre që në vend të gjashtë njësive zgjedhore të kenë tetë njësi zgjedhore, duke i’u referuar ndarjes së vendit në tetë njësi administrative. Edhe nga BDI-ja nuk pranojnë që të ketë vetëm një njësi zgjedhore, kështu që është e paqartë se si Kovaçevski do t’i bindë partnerët qeveritarë Ahmeti dhe Taravari për ndryshimin e modelit zgjedhor.

    BDI mendon se duhet të mbeten gjashtë njësi dhe nëse ka ndryshim, mendon se modeli më i mirë është me tri njësi zgjedhore. Nga ana tjetër, nëse arrihet një konsensus i përgjithshëm për të pasur një njësi zgjedhore, atëherë ajo duhet të ketë një prag prej pesë për qind. RDM që nga rikonstruimi i Qeverisë i dha afat Kovaçevskit prej 100 ditësh për të filluar procesin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, përkatësisht vendi të ketë një njësi zgjedhore dhe 50 për qind e listave parlamentare të jenë me gra ose përndryshe RDM do të shkojë në opozitë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Komisioni për antikorrupsion hap lëndë për ndërtimin e autostradave në RMV

    Lajmi i rradhës

    RASTI “ALFA” | Lloga: Së shpejti do të kemi rezultate konkrete për këtë çështje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë