RASTI I MERKOS / Institucionet ”Ping-Pong” për përgjegjësitë

    Pas Byrosë për Ekspertizë Ligjore dhe Prokurorisë për Krim të Organizuar, rasti i Ramiz Merkos përplas edhe dy institucione të tjera, për atë se kush ka bërë mjaftueshëm për hetimin e dyshimeve ndaj tij.

    Nga Komisioni kundër korrupsionit shprehen të habitur nga komunikata e Kabinetit të zv/kryeministres për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska, pasi kjo e fundit u ankuan se Antikorrupsioni e akuzon pa të drejtë dhe se ajo nuk ka kompetencë në rastin e pushtetit lokal. Nga Antikorrupsioni thonë se në rastin e Merkos, nuk e kanë përmendur aspak Gërkovskën gjatë konferencës së tyre për media një ditë më parë.

    “Mosveprimi i institucioneve të tjera nuk është përgjegjësi e Antikorrupsionit sepse sipas kompetencave dhe kredencialeve tona ligjore nuk kemi mekanizma për të ndikuar në punën dhe dinamikën e veprimit të tyre. Është e nevojshme, në interes të qytetarëve dhe në interes të ecurisë së zgjidhjes së rasteve të korrupsionit, që të gjitha organet kompetente bashkërisht t’i drejtojnë kapacitetet e tyre me të njëjtin qëllim, në vend që të sulmojnë pa bazë punën e Antikorrupsionit,” thonë nga Komisioni për parandalimin e korrupsionit.

    Ky reagim vjen disa orë pasi nga kabineti i zv/kryeministres Sllavica Gërkovska thanë se Antikorrupsi, në krye me kryetaren Ivanoska përpiqet të argumentojë veprimin ose mosveprimin e Antikorrupsionit dhe ta hedhë përgjegjësinë te institucionet e tjera.

    “Duke marrë parasysh ndarjen e pushtetit në nivel lokal dhe qendror, zëvendëskryeministrja Gërkovska nuk ka dhe nuk mund të ketë autoritet mbi një zyrtar që është zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta. Për këto arsye, zëvendëskryeministrja Gërkovska mund të japë vetëm rekomandime në këtë drejtim për respektimin e parimeve të qeverisjes së mirë dhe asgjë më shumë,” shprehen nga Kabineti i zv/kryeministres Gërkovska.

    Një ditë më parë, Byroja për Ekspertizë Ligjore u justifikua se rasti i Merkos ka ngecur prej tre vitesh, pasi Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar ka refuzuar të dorëzojë dokumentacionin plotësues, gjë që ka pamundësuar vërtetimin e veprës penale. Prokuroria nga ana tjetër, nuk ndan hollësi për çfarë rasti bëhet fjalë.

    Institucionet vendase filluan të fajësojnë njëri tjetrin për veprim ose mosveprim në rastet e dyshimeve për korrupsion ose keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Merkos, pasi SHBA-të e shpallën atë person të padëshiruar për shkak të përfshirjes në korrupsion të rëndë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kërcënimet me jetë ndaj Ganiut dhe Mexhitit, asnjë veprim nga policia

    Lajmi i rradhës

    BDI i quan shpifje akuzat e Visar Ganiut kur tha se është kërcënuar me jetë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë