Rasti “Perandoria”, partitë politike akuza njëra me tjetrën për krime

    Ngrirja e pronave për rastin “Perandoria”, e të cilat kanë lidhje me Sasho Mijallkovin e Nikolla Gruevskin, nxiti përsëri partitë politike për të akuzuar njëra tjetrën për krime. Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski nuk e komenton rastin konkret por kthen vëmendjen në pronën e ngrirë të VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, kjo është pasojë e lidhjes së gjykatësve me LSDM-në.

    “Ai është vendim i gjykatës për ngrirjen e pronës së një personi privat. Unë më shumë dua të flas për atë se pse shfrytëzohet prokuroria dhe gjykata që katër vjet ta mbajnë të ngrirë pronën e partisë më të madhe politike VMRO-DPMNE. Ne as nuk e zotërojmë dhe as nuk mund ta tjetërsojmë. Kemi pasur edhe xhirollogari të bllokuar. E dimë për çfarë gjykate dhe prokuroria bëhet fjalë. Kjo mua më shqetëson”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së

    Ndërkohë, LSDM-ja, pa përmendur aspak Sasho Mijallkovin në reagim, thonë se “Perandoria” nxjerr në pah krimet e Gruevskit që mbrohen nga Mickoski. Kërkojnë dorëheqje.

    “Nga ana e institucioneve kompetente është ngrirë pronë si pasojë e krimeve të VMRO-DPMNE-së. Për gjithë këtë kohë Mickoski hesht. Heshtja e Mickoskit është dëshmia më e madhe se në këtë parti asgjë nuk ka ndryshuar kurse Mickoski me mish e me shpirt mundohet ta mbrojë krimin e VMRO-DPMNE-së. Pas të gjitha pranimeve, vendimeve gjyqësore si në rastin e Titanik dhe pas publikimit të listës së zezë, pas ngrirjes së pronës në rastin “Perandoria”, Hristijan Mickoski duhet të japë dorëheqje”, thonë nga LSDM

    Një ditë më parë Gjykata solli vendim për ngrirjen e disa pronave nën dyshimin se pronat janë rrjedhojë e veprave penale. Është ngrirë një pjesë e pronës së personit juridik “Divelop grup”, pjesë të firmës “Best Vej Investment” e cila lidhet edhe me Hotelin luksoz në qendër të Shkupit “Meriot”, prona e “SIS invest grup” dhe disa aksione.

    Rasti “Perandoria” po zhvillohet kundër Jordan Kamçevit, Sasho Mijalkovit, Nenad Josifoviqit, Cvetan Pandeleskit, Ratka Kunoska Kamçevës, etj. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Sulmohet policia e Kosovës në veri me mjete shpërthyese

    Lajmi i rradhës

    Ukrainasit thonë se europianët po “tallen” me ta rreth armatimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë