Rasti që ngre dyshime për sigurinë e provave në gjykatat e Maqedonisë së Veriut

    Fotografia: Prizma

    Telefoni me portofol kriptovalutë (gjatë teksti përdoret edhe si kriptomonedhë) u zhduk gjatë kohës që mbahej në gjykatë

    Kur Pançe Iliev nga Strumica u dënua për vrasje, gjykatësi vendosi që dy telefonat celularë të sekuestruar nga i pandehuri, njëri prej të cilëve përmbante një portofol kriptomonedhash, ndërsa tjetri një aplikacion për minierimin e kriptomonedhave, të mbeteshin në gjykatë, edhe pse kjo nuk është praktikë e zakonshme, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Pas një sërë zvarritjesh dhe kthesash procedurale, kur pajisjet më në fund u kthyen, rezultoi se gjykata kishte dorëzuar një telefon tjetër në vend të atij që përmbante portofolin e kriptomonedhave. Ndërkohë, gjatë kohës sa pajisja tjetër ndodhej në gjykatë, aplikacioni për minierimin e kriptomonedhave regjistroi fshirjen e llogarisë së përdoruesit.

    BIRN zbulon një rast që fillon me një vendim të pazakontë gjyqësor dhe vazhdon me dyshime për abuzim, si dhe me një hetim paraprak që po zvarritet. Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si ruhen provat në gjykata, polici dhe prokurori, si dhe sa të sigurta janë ato.

    Gjyqtari vendosi të mos merrte vendim për telefonat

    Në janar të vitit 2023, Iliev kreu një vrasje, për të cilën u dënua me 12 vjet burg.

    Kur shpalli aktgjykimin në qershor të po atij viti, gjyqtari i Gjykatës së Strumicës, Boris Berzhecki, la të pazgjidhur çështjen e sendeve të sekuestruara, përfshirë edhe dy telefonat e Ilievit. Në aktgjykim ai shkroi se nuk do të vendoste as për konfiskimin e përhershëm dhe as për kthimin e tyre, pasi kishte marrë informacion nga Prokuroria Publike e Shkupit se ndaj të dënuarit zhvillohej edhe një procedurë tjetër penale.

    Megjithatë, këta nuk ishin telefona të zakonshëm. Njëri prej tyre përmbante një portofol kriptomonedhash – një aplikacion digjital për ruajtjen dhe administrimin e kriptomonedhave, vlera e të cilave ndryshon në treg dhe mund të arrijë në qindra mijëra euro.

    BIRN nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur se sa kriptomonedha ndodheshin në portofol në momentin e sekuestrimit të telefonit. Megjithatë, redaksia pati qasje në fotografi dhe video të realizuara më herët, të cilat tregojnë se në portofol ruheshin bitcoin dhe ethereum.

    Partnerja e Ilievit, Hristina Muçeva, e cila atëherë ishte 25 vjeçe, pretendon se në ditën kur policia konfiskoi telefonin, portofoli përmbante 46,29 ethereum dhe 0,98 bitcoin, të cilat sot kanë një vlerë prej më shumë se 100 mijë eurosh.

    Sipas saj, gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari deklaroi se telefonat do t’i ktheheshin pronarit, por në vetë aktgjykimin shkroi se nuk do të merrte vendim lidhur me to.

    Gjyqtari Berzhecki, tashmë në pension, tha për BIRN se nuk i kujton të gjitha detajet, pasi kanë kaluar pothuajse tre vjet nga rasti. Megjithatë, ai konfirmoi se e mbante mend çështjen.

    “Kam menduar se procedura në Prokurorinë Publike të Shkupit ende nuk kishte përfunduar dhe se ndoshta telefonat mund t’u nevojiteshin si prova,” tha ai.

    Ish-gjyqtari shtoi se vetëm më vonë kishte mësuar se telefonat përmbanin kriptomonedha.

    “Nuk kam pasur kontakt me telefonat dhe as nuk i kam ekzaminuar,” deklaroi Berzhecki për BIRN.

    Nga ana tjetër, Prokuroria Publike e Shkupit, ku po zhvillohet procedura tjetër kundër Ilievit, bëri të ditur se nga Gjykata e Strumicës kishte kërkuar vetëm informacione nëse i pandehuri ishte dënuar më parë, dhe jo mbajtjen e telefonave.

    Në vend të telefonit të sekuestruar, iu kthye një tjetër

    Menjëherë pas arrestimit të Ilievit, ai dhe partnerja e tij, përmes avokatit, i kërkuan prokurores Silvana Bajraktarova t’u mundësonte qasje në portofolin e kriptomonedhave. Kërkesa u refuzua.

    Sipas listës së provave të përpiluar nga prokurorja, dy telefonat e sekuestruar nuk iu nënshtruan ekspertizës digjitale-forenzike.

    Një vit pas aktgjykimit për vrasje, në vitin 2024, Iliev kërkoi sërish që gjykata të merrte vendim për telefonat, por gjyqtari Berzhecki nuk vendosi as këtë herë. Në vend të kësaj, ai iu drejtua Gjykatës Penale të Shkupit, ku po zhvillohej procedura tjetër kundër Ilievit. Menjëherë pas kësaj, ai doli në pension.

    Për pasojë, çështja mbeti e bllokuar derisa u mor nga një gjyqtar tjetër, i cili vetëm në vitin 2025 urdhëroi kthimin e telefonave.

    Dorëzimi i telefonave zbuloi parregullsi të reja

    Pas urdhrit për kthimin e telefonave, Hristina Muçeva thotë se u përball me një proces që e përshkruan si “kafkian”.

    Sipas saj, punonjësi i depos së Gjykatës së Strumicës, përgjegjës për ruajtjen e sendeve të sekuestruara, fillimisht nuk arriti të gjente dokumentacionin për pranimin e tyre. Vetëm pas tre ditësh ai ia dorëzoi dy telefonat, por nuk e lejoi t’i lidhte në karikues për të verifikuar nëse bëhej fjalë për pajisjet e sekuestruara.

    Muçeva nënshkroi procesverbalin e pranimit të telefonave, por në të shënoi me stilolaps se nuk i ishte lejuar t’i vendoste pajisjet në karikues për të verifikuar identitetin e tyre.

    Në atë moment nuk dyshonte se do të përballej me një problem edhe më të madh.

    Telefoni Xiaomi, në të cilin ndodhej aplikacioni për minierimin e kriptomonedhave, rezultoi të ishte i njëjti. Megjithatë, telefoni tjetër – një iPhone 7 Plus, ku ndodhej portofoli i kriptomonedhave – nuk ishte ai që ishte sekuestruar nga policia.

    Për ta konfirmuar këtë, Muçeva kërkoi ndihmën e disa personave.

    Kur e vendosi iPhone-in në karikues, telefoni nuk u ndez. Ajo iu drejtua një serviseri kompjuterësh nga Strumica, i cili i tregoi BIRN-it se kishte porositur një bateri për modelin iPhone 7 Plus, pasi në dokumentacionin gjyqësor ishte shënuar se ishte sekuestruar pikërisht ky model.

    Megjithatë, kur bateria mbërriti dhe telefoni u dërgua në servis, rezultoi se pajisja nuk ishte iPhone 7 Plus, por iPhone 8 Plus.

    “Nuk pati asnjë reagim. Më pas telefoni iu nënshtrua diagnostikimit dhe u konstatua se ishte plotësisht i dëmtuar”, tha serviseri për BIRN.

    Dy modelet janë pothuajse identike në pamje, gjë që e bëri të vështirë dallimin e tyre pa kontroll teknik.

    Në të njëjtën kohë, Muçeva vuri re edhe një tjetër mospërputhje. Telefoni që iu kthye kishte një mbulesë mbrojtëse, ndërsa telefoni që ishte sekuestruar nga partneri i saj nuk kishte pasur asnjë mbulesë.

    Dyshimet u forcuan edhe më shumë pasi u kontrollua numri serial i pajisjes. Numri, i cili është unik për çdo telefon, nuk përputhej me numrin e regjistruar në procesverbalin e sekuestrimit.

    Pas këtij zbulimi, Muçeva iu drejtua menjëherë Gjykatës së Strumicës, duke kërkuar korrigjimin e gabimit. Ajo kërkoi takim me kryetaren e gjykatës, Tatjana Malinova.

    Sipas Muçevës, që nga ai moment nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të sqaruar rastin. Për këtë arsye, ajo ka kërkuar përgjegjësi edhe nga Këshilli Gjyqësor, duke argumentuar se kryetarja e gjykatës, si drejtuese e institucionit, mban përgjegjësi për mënyrën se si ruhen dhe administrohen sendet e sekuestruara.

    BIRN kërkoi informacion për rastin që në janar të këtij viti, por Malinova refuzoi ta vinte në dispozicion dokumentacionin. Në arsyetimin e saj ajo shkroi se çështja nuk përbënte interes publik dhe se përmbante të dhëna të ndjeshme, megjithëse publikimi i informacionit për lëndët e përfunduara ka qenë praktikë e zakonshme në Gjykatën Penale të Shkupit.

    Në përgjigjet e dërguara me email për BIRN-in, Malinova deklaroi se nuk kishte konstatuar asnjë parregullsi.

    Edhe pse Muçeva pretendon se ekziston një procesverbal ku është shënuar se nuk iu lejua të verifikonte telefonat para pranimit, Malinova u përgjigj:

    “Nuk ekzistojnë të dhëna, shënime zyrtare apo rrethana të tjera që do të tregonin ndonjë parregullsi ose paligjshmëri gjatë ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe dorëzimit të telefonave celularë.”

    Për këtë arsye, sipas saj, nuk kishte bazë për ta njoftuar Prokurorinë Publike.

    Dyshimet për ndërhyrje në të dhënat digjitale

    Ndërkohë, Agjencia për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik e anuloi vendimin e Gjykatës së Strumicës, e cila kishte refuzuar kërkesën e BIRN-it për qasje në dokumentacionin e rastit.

    Megjithatë, gjykata refuzoi sërish ta vinte dokumentacionin në dispozicion. Për këtë arsye, BIRN paraqiti një ankesë të re, për të cilën Agjencia ende nuk ka marrë vendim, megjithëse kanë kaluar gati një muaj e gjysmë.

    Ndërkohë, Muçeva dhe Iliev konstatuan se llogaria iCloud, përkatësisht memoria virtuale e telefonit, ishte fshirë. Muçeva u përpoq të hynte në aplikacionet përmes fjalëkalimeve të ruajtura, por pa sukses.

    Edhe në telefonin Xiaomi, të gjitha aplikacionet rezultuan të ishin çregjistruar.

    Pasi Iliev bëri një fotografi me pasaportën e tij nga burgu në Shtip për qëllime verifikimi të identitetit, ai arriti të rikthente qasjen në aplikacionin për minierimin e kriptomonedhave Hiveon.

    Pas rikthimit të qasjes, ata konstatuan se, gjatë kohës kur telefoni ndodhej nën kontrollin e institucioneve shtetërore, dikush kishte hyrë në llogari nga një adresë IP në Maqedoninë e Veriut dhe kishte fshirë profilin e përdoruesit.

    “Jo vetëm që u zhduk telefoni me kriptomonedhat, por u fshi edhe identiteti ynë digjital, ndërkohë që pajisjet ndodheshin nën kontrollin e shtetit”, pretendon Muçeva.

    Në vitin 2024, ajo paraqiti kallëzim në polici për ndërhyrje të paautorizuar në portofolin e kriptomonedhave nga një person i panjohur.

    Megjithatë, për gati dy vjet nuk u thirr për të dhënë deklaratë. Vetëm pasi BIRN kërkoi përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme në shkurt të këtij viti, Muçeva u kontaktua nga hetuesit dy ditë më vonë.

    Rastin po e heton prokurorja e Prokurorisë Publike të Strumicës, Violeta Milçovska.

    Sipas Prokurorisë, janë kërkuar të dhëna nga kompania amerikane MetaMask, ofruesi i portofolit digjital të kriptomonedhave, për të siguruar informacion mbi qasjen në llogari dhe ndryshimet e mundshme të kryera në të.

    Deri tani nuk është marrë asnjë përgjigje.

    Megjithatë, procedura hetimore aktuale ka të bëjë vetëm me dyshimet për vjedhjen e kriptomonedhave dhe jo me faktin që Muçevës iu kthye një telefon tjetër në vend të pajisjes së sekuestruar.

    Ky aspekt i rastit mbetet ende pa një hetim të veçantë institucional.

    Ekspertët: vendimi i gjykatës ishte në kundërshtim me ligjin

    Sipas Kodit të Procedurës Penale, sendet e sekuestruara që nuk lidhen me kryerjen e një vepre penale duhet t’u kthehen pronarëve të tyre.

    Gjyqtarët, prokurorët dhe profesorët e së drejtës me të cilët bisedoi BIRN janë unanimë se vendimi i gjyqtarit Boris Berzhecki ishte në kundërshtim me ligjin.

    Sipas tyre, gjykatësi është i detyruar që në aktgjykim të vendosë edhe për fatin juridik të sendeve të sekuestruara përkohësisht, përkatësisht nëse ato do të konfiskohen përfundimisht apo do t’i kthehen pronarit.

    Nëse ndaj të njëjtit person zhvillohet një procedurë tjetër penale, atëherë, sipas ekspertëve, sendet mund të mbahen vetëm në bazë të një urdhri të ri dhe jo duke e lënë çështjen të pazgjidhur.

    Darko Avramovski, nga Koalicioni “Të gjithë për një gjykim të drejtë”, vlerëson se në praktikë ekziston një tendencë e konfiskimit të tepërt të sendeve pa kontroll të mjaftueshëm, gjë që krijon rrezik për shkelje të të drejtave të qytetarëve, dëme materiale dhe madje edhe abuzime të mundshme.

    “Një pjesë e madhe e sendeve u kthehen pronarëve pas një periudhe të gjatë, kur ato tashmë kanë humbur vlerën ose funksionalitetin e tyre. Në raste të tjera, konfiskimi bëhet përfundimtar edhe kur nuk ka bazë ligjore për një veprim të tillë”, thotë Avramovski.

    Dyshime për qasje në portofolin e kriptomonedhave

    BIRN e vizitoi Ilievin në burgun e Shtipit.

    Ai pretendon se gjatë kontrollit policor është detyruar të zhbllokojë telefonat duke hequr kodet PIN.

    Sipas tij, në telefon kishte mbetur e ruajtur edhe fraza sekrete e rikuperimit (seed phrase) e portofolit të kriptomonedhave. Kjo frazë mundëson rikthimin e plotë të qasjes në portofol dhe, nëse bie në duar të gabuara, lejon kontrollin e plotë mbi asetet digjitale.

    Avramovski thekson se, në raste të tilla, ekziston gjithmonë dyshimi për humbje, zëvendësim ose manipulim të sendeve të sekuestruara, si dhe për qasje të paautorizuar në të dhënat e tyre.

    Sipas tij, Prokuroria Publike ka detyrim të veprojë ex officio dhe të hetojë nëse ekziston përgjegjësi penale për ndonjë person.

    Ai shton se mund të lindë edhe përgjegjësi civile e shtetit në rast se provohet se sendet janë mbajtur pa bazë ligjore ose janë dëmtuar gjatë kohës që ndodheshin nën kujdesin e institucioneve.

    Muçeva pretendon se bëhet fjalë për një rast “grabitjeje nën mbikëqyrje institucionale”, të shoqëruar me mbajtje të paligjshme të pronës, shkelje të rënda procedurale dhe shfrytëzim të mungesës së njohurive të saj juridike, si dhe të situatës së vështirë personale në të cilën ndodhej.

    Ajo thotë se i është drejtuar pothuajse çdo institucioni kompetent, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Këshillin Gjyqësor. Edhe pse janë zhvilluar procedura administrative dhe disiplinore, sipas saj, asnjëra prej tyre nuk ka sjellë rezultate konkrete.

    Si shembull, ajo përmend raportin e anëtarit të Këshillit Gjyqësor, Ariton Ala, i cili shqyrtoi ankesën e saj.

    Sipas Muçevës, raporti nuk trajtoi në mënyrë të detajuar faktin nëse telefoni i kthyer ishte i njëjti që ishte sekuestruar, as nëse gjykata kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin përkatës.

    Në raport u konstatua se gjyqtari Berzhecki tashmë ishte pensionuar dhe, për këtë arsye, zhvillimi i një procedure disiplinore ndaj tij nuk kishte më kuptim.

    Muçeva shpreson që Prokurori i ri Publik i Shtetit, Nenad Saveski, do ta rishqyrtojë rastin. Për këtë arsye, ajo i është drejtuar atij edhe me një kërkesë të drejtpërdrejtë.

    Lajmi Paraprak

    Dy botë paralele

    Lajmi i rradhës

    “Zebrat” e zbehura në Shkup, pasojë e tenderëve pa standarde

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë