“Rasti Tolaj”, Ali Ahmeti: Për mua këndojnë shumë, por në rast të shpërdorimeve përgjegjësi duhet të ketë

    Nga Ministria e Kulturës ende nuk japin qëndrim se si do të veprojnë pas konstatimeve të Sektorit për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese në Ministrinë e Kulturës, për shpërdorim të fondeve nga ana e drejtorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare Shkodran Tolaj. Por as nuk u përgjigjen nëse Tolaj i ka plotësuar të gjitha kushtet për të qenë drejtor i Ansamblit. E vetmja përgjigje është ajo e një dite më parë se vazhdojnë ta shqyrtojnë raportin, i cili është gati prej 8 muajsh.

    Ndërkohë i pyetur nga Alsat se si e komenton informacionin për keqpërdorime nga drejtori i Ansamblit, Shkodran Tolaj i cili në opinion konsiderohet si i afërt me të, kreu i BDI-së Ali Ahmeti thotë se pavarësisht kush i këndon, në rast të shpërdorimeve përgjegjësi duhet të ketë.

    “Për mua këndojnë shumë, unë kam shumë miq, por ligji duhet të vlejë për të gjithë, edhe për miqtë edhe për kundërshtarët. Nëse ka argumente se dikush keqpërdor besimin, keqpërdor, funksionin, do të thotë ligji duhet të veprojë për të gjithë, pa dallim kush është. Detyra juaj është që të ndiqni çdo parregullsi dhe kisha apeluar si gjithmonë që apeloj të jemi në partneritet të përhershëm për ta luftuar të keqen, sepse vetëm kështu mund ta çojmë para shoqërinë dhe ti forcojmë çështjet brenda vendit”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Alsat ditë më parë publikoi disa detaje nga Raporti Inspektues në Ministrinë e Kulturës, ku shkruan se nga ana e drejtorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare, Shkodran Tolaj, kanë hasur në keqpërdorime parash dhe shpenzime jashtë kornizave ligjore, për bileta dhe honorarë për udhëtimin jashtë vendit, pagesa kamatash dhe përmbarues për shkak të mos kryerjes në kohë të pagesave të domosdoshme, karburante për automjetin personal dhe parregullsi të tjera.

    Lajmi Paraprak

    BDI kundër bllokadave të VMRO-së, Ahmeti: Bllokadat dhe bojkotet nuk janë parime të demokracisë

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: U plakëm duke pritur BE-në, të rinjtë u shpërngulën!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë