BDI kundër bllokadave të VMRO-së, Ahmeti: Bllokadat dhe bojkotet nuk janë parime të demokracisë

    Foto: DW/P. Stojanovski

    Takim liderësh mund të ketë për çështjen e Bullgarisë, por jo për të diskutuar rreth bllokadës, tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti, pas njoftimeve të VMRO-DPMNE-së për të bllokuar ligjvënësin nga 10 maji.

    “Bllokadat, bojkotet nuk janë kategori e përparimit të demokracisë. Mendoj që takimet nuk ka asgjë të keqë që të bëhen, por jo me kushtëzime. Është shumë me rëndësi që të ketë takime se si të mbyllet çështja me Bullgarinë, që është një kontest që neve na pengon në avancimin dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe sigurisht se na duhet një konsensus etnik dhe politik. Në këtë situatë edhe mund të ketë debat, mund të ketë takime, por jo edhe për bllokadat”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Kryeministri Kovaçevski duket se nuk do të lëvizë nga pozita e tij, nuk ka takim liderësh për zgjedhje të parakohshme. Ai dhe partia e tij këmbëngulin se kanë plan për të tejkaluar bllokadën e VMRO-DPMNE-së por nuk e zbardhin atë.

    “Unë vetëm se mund t’i ftoj të gjithë deputetët të jenë në nivelin e detyrës së tyre sepse ata nuk janë zgjedhur nga kryetari i partisë politike i cili i merr urdhrat nga Budapesti se si të sillet dhe sit ë veprojë. Ky është viti me krizë më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe sipas asaj që shohim, me gjasë na pret dimri më i vështirë me të cilin përballet gjenerata jonë dhe gjenerata para nesh”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

    Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi në intervistë për Top Channel tha se bllokimi i Kuvendit është vendim i gabuar sidomos në kohën e një krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe kur ka sinjale për marrjen e datës në qershor. Një vendim i tilla, tha Xhaferi, nuk është në interes të qytetarëve dhe as në interes të shtetit.

    Presidenti Stevo Pendarovski për momentin nuk sheh gatishmëri për takim liderësh duke thënë se hendeku mes dy blloqeve politike në vend sa vjen e thellohet. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    ASh: RMV-ja konfirmon se është një regjim hibrid, po shkon drejt sistemit të Koresë së Veriut

    Lajmi i rradhës

    “Rasti Tolaj”, Ali Ahmeti: Për mua këndojnë shumë, por në rast të shpërdorimeve përgjegjësi duhet të ketë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë