Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, kërkoi hetim të plotë të ngjarjes. Sipas tij, “nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat”.
Reagime në shkallë të gjerë në Kosovë po vazhdojnë pas ngjarjes, ku një i ri 27 vjeçar ndërroi jetë “gjatë arrestimit të tij nga Policia e Kosovës”, në qytezën e Lipjanit, jo larg Prishtinës. Pesë policët e përfshirë në arrestimin e të riut, të mërkurën dalin para Gjykatës në seancën e parë dëgjimore.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në një mbledhje të Qeverisë, kërkoi hetim të thellë dhe sa më të shpejtë për vdekjen e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu. Raporti i mjekësisë ligjore akoma nuk është bërë publik për të sqaruar shkakun e vdekjes së të riut, gjatë arrestimit të tij nga policia.
Kryeministri Kurti u shpreh, se “shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike dhe falë incizimeve të dëshmitarëve. Por për të kuptuar çka ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet. Për këtë, bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, IPK-së, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është thelbësor. Pesë zyrtarë policorë tanimë janë në paraburgim. Kërkoj dhe pres hetim të thellë e sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat, ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia. Nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare”.
Sveçla: Hetime me intesitet maksimal
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se “hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar”.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh mbi vdekjen e të riut 27-vjeçar, duke thënë, se “ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë”. Osmani e ka cilësuar “tronditëse” vdekjen e të riut dhe kërkoi urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis.
“Të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale, dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Presidentja në reagimin e saj.
Praktikë dhune nga policia në Kosovë?
Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, në një reagim, thotë se i ka marrë “me shqetësim rastet e raportuara ku zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve në dy raste të ndara, njëri rast i ndodhur në Klinë dhe rasti tjetër së fundmi në Lipjan, ku për pasojë humbi jetën një qytetar”.
“Ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë Avokati i Popullit. Sipas tij, “policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor”.
Policia e Kosovës, nga ana e saj, në një komunikatë për media, ka sqaruar në detaje rastin sesi erdhi deri tek ngjarja. Sipas policisë, në natën e 7 korrikut ata kanë marrë njoftime nga disa qytetarë se tashmë i ndjeri Agon Zejnullahu, “me sjellje agresive përmes veprimeve të tij po paraqiste rrezikim të përgjithshëm të kalimtarëve duke i sulmuar ata, por dhe të vetes së tij, duke ndjekur automjetet dhe duke tentuar të hynte në to”.
“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu, gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për t’i ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë. Autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent ka arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për t’i dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Instituti i Mjekësisë Ligjore, pas interesimit të mediave, ka thënë se akoma “nuk mund ta pohojë e as mohojë shkakun e vdekjes” së të riut Agon Zejnullahu, pasi Instituti komunikon vetëm me Prokurorinë e Shtetit.
Reagime të shumta nga shoqëria civile
Shumë reagime nga organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut dhe nga media të shumta janë adresuar në drejtim të Policisë së Kosovës, për siç thonë, “dhunën e tepruar gjatë arrestimit të të riut 27-vjeçar nga Lipjani”. Video të shumta të të gjithë ngjarjes janë shfaqur edhe në rrjete sociale.
Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, tha se “tendenca që të nis një antifushatë drejt policisë është e dëmshme”, dhe siç u shpreh ai, “nuk është zgjidhje”. “Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike që po jepen janë të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e tij. Tendenca që të nisë një antifushatë drejt policisë është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje. Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato realizohen me rezultate të plota të hetimeve. Vetëm atëherë sigurohemi që llogaridhënia institucionale bëhet përgjigje për rastin dhe garanci që situata të ngjashme të mos përsëriten asnjëherë”, deklaroi Kurti. /DW/