Reagime negative në Bullgari për klubin maqedonas në Bllagoevgrad

    Sipas Sofjes zyrtare, forcat anti-evropiane qëndrojnë pas hapjes së klubit kulturor “Nikola Vapcarov” në Blagoevgrad. Në hapjen e klubit maqedonas të dielën, VMRO-DPMNE dhe “E Majta” deri më tani kanë konfirmuar praninë e tyre. Sipas Ministrisë së Jashtme bullgare, këto dy parti udhëheqin një politikë kundër integrimit evropian të vendit. Nga atje besojnë se kjo është një tentativë e re për provokim.

    “Në këtë rast kemi një person fizik, që paraqitet si organizatë joqeveritare, e cila ndryshe nuk ekziston. Ky person ka marrë me qira një hapësirë nga një person privat, me arsyetimin se do të formonte një klub poetësh bullgar në atë hapësirë. Për ne i vetmi interes është se si një ngjarje e tillë inkurajohet, nxitet dhe mbështetet nga dy partitë kryesore opozitare në Shkup”, deklaroi Kostadin Koxhabashev – Zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

    “A nuk mendoni se ata përsëri po përpiqen ta përdorin të kaluarën tonë të ndjeshme historike, për ta hidhëruar vëllain me vëllain, kjo kundër interesave të shteteve”, tha Zheljazko Radukov – ekspert në MPJ të Bullgarisë.

    Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, vlerëson se hapja e klubeve është keqpërdorur menjëherë në agjendat politike. Ai theksoi se pas klubit në Blagoevgrad qëndron një fondacion nga Kanadaja, me një histori që nuk i shërben interesave strategjike të vendit. Sipas tij, klubi maqedonas në Bllagoevgrad, me emrin e shkrimtarit Vapcarov, si dhe klubet bullgare në Manastir dhe Ohër, janë një “kurth”, dhe nuk shkojnë në dobi të komuniteteve të të dyja vendeve, ndërsa provokatorët po përpiqen ta rrëmbejnë agjendën e fqinjësisë së mirë.

    “Kjo nuk është rruga. Po, mund të kënaqë pak ndjenjat tona, të kënaqë nevojat tona për të “kthyer”, por është afatshkurtër. Mendoj se duhet të kthehemi në një rrugë normale të marrëdhënieve. Ajo që do të ndodhë nesër është shumë më e rëndësishme se ajo që do të ndodhë të pasnesër”, u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

    Ai tha se nuk do të marrë pjesë në hapjen e klubit, por do të marrë pjesë në fillimin e aktiviteteve të ripërtëritura të ndërtimit të hekurudhës së shumëpritur drejt Bullgarisë, në kuadër të Korridorit 8. Osmani gjithashtu tha se Ministria e Kulturës tashmë ka filluar procedurën për hapjen e një qendre kulturore-informative maqedonase të mbështetur nga shteti në Bllagoevgrad. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Bizneset në RMV manipulojnë me çmimet e produkteve

    Lajmi i rradhës

    Presidenti gjerman bën thirrje për unitet në fjalimin për gjendjen e kombit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë