REAGOJNË SINDIKATAT | Vazhdon beteja për paga më të mëdha

    Me ardhjen e vjeshtës dhe rritjen e inflacionit çdo muaj e më shumë, sindikatat po mobilizohen për të kërkuar kushte më të mira për punëtorët. Qytetarët dhe punonjësit thonë se është momenti i fundit që institucionet të ndërgjegjësohen pasi vendi do të mbetet pa punëtorë nëse vazhdojnë të nëpërkëmben nga shteti. Kryesia dhe Këshilli i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, si autoriteti më i lartë ndërmjet dy kongreseve, me forca të përbashkëta do t’i rezistojnë sulmeve ndaj LSM-së, si dhe pengesave që, sipas tyre, po bëhen për t’i parandaluar kërkesat e tyre, konkretisht sigurimin e pagave dinjitoze për një jetë më dinjitoze për punëtorët. Madje, ata morën vendime të përbashkëta duke dënuar të gjitha sulmet dhe kritikat që po bëhen ndaj tyre, shkruan gazeta Koha.

    Nga LSM-ja thonë se nuk i tremben tentativave për ta minuar ndikimin e Lidhjes së Sindikatave në luftën për rritjen e pagave dhe në tentimet për arritjen e kontratave të reja kolektive dhe anekset e tyre. Krahas kësaj, ata thonë se hedhin poshtë të gjitha gënjeshtrat dhe të pavërtetat e shprehura në media dhe në opinion se gjoja, parti politike qëndrojnë pas kërkesave të tyre.

    “Kryesia dhe Këshilli i LSM-së, ndër të tjera, i dhanë besim të plotë menaxhmentit të LSM-së në luftën për të drejtat e punës dhe zbatimi i vendimeve të organeve drejtuese duhet të jetë prioritet në veprimin e LSM-së në periudhën e ardhshme. Kryesia e LSM-së dhe Këshilli i LSM-së njëzëri morën Vendime për shpalljen publike dhe dorëzimin në institucionet kompetente të aktgjykimeve nga Gjykatat Administrative dhe të Gjykatave të Larta Administrative të vitit 2022 dhe 2023, Vendimet e Prokurorisë Themelore Publike. Prokuroria në vendimet e vitit 2019 dhe 2020, si dhe Vendimi i Komisionit për Ankesë nga viti 2020, delegjitimon gënjeshtrat dhe pengesat e individëve që sulmojnë LSM-në për gjoba – interesa personale dhe politike të LSM”, thuhet në njoftimin drejtuar mediave.

    Në dy muajt e fundit, në disa raste kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me kërkesat e sindikatave për rritjen e pagës minimale nga 450 euro, deklaroi se kërkesat e sindikatave kanë prapavijë politike dhe se sindikatat punojnë në interes të partisë në opozitë.

    Menaxhmenti i LSM-së shprehimisht i hedh poshtë këto akuza dhe theksoi se nuk ka asgjë politike në kërkimin e kushteve për një jetë më të mirë për punëtorët që mbushin buxhetin e shtetit, nga i cili marrin pagat politikanët. Menaxhmenti i LSM-së u akuzua edhe nga ish-kryetari i LSM-së, Zhivko Mitreski, i cili deklaroi se në mënyrë të kundërligjshme është larguar nga posti i LSM-së dhe tani është në kërkim të mënyrës që të kthehet në LSM si kryetar. Ai gjithashtu theksoi se kryetari aktual i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, vetëm po mashtron opinionin se po punon në interes të punëtorëve, por sipas Mitreskit, Trendafilov nuk është kryetar legjitim i LSM-së.

    Nga ana tjetër, për hapat e radhës që do të ndërmarrin në përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së jetës së punëtorëve nga LSM thonë se lufta vazhdon. Në një vizitë pune në LSM ishte edhe sekretarja e përgjithshme e Konfederatës Evropiane të Sindikatave, Esther Lynch, e cila është lidere e lëvizjes sindikale evropiane. Ajo ofroi mbështetje në luftën kundër situatës aktuale lidhur me konfiskimin e paligjshëm të pasurisë së LSM-së, kërkesat e sindikatave drejtuar qeverisë për rritje të pagave në shtet, pozitën e punëtorëve, të drejtave të punës dhe organizatave të punës dhe respektimin e tyre me legjislacionin evropian dhe standardet ndërkombëtare të punës, si dhe pozicionin e sindikatave në Maqedoninë e Veriut.

    Ndryshe, një numër i madh qytetarësh besojnë se pagat dhe pensionet e ulëta janë problemi më i madh me të cilin po përballet aktualisht vendi, tregon sondazhi i fundit i Institutit Kombëtar Demokratik (NDI). Anketa e publikuar më 6 qershor tregon se mbi 27 për qind e qytetarëve konsiderojnë se standardi i jetesës është problemi kryesor në vend. Për 23 për qind të të anketuarve, problemi më i madh është krimi dhe korrupsioni, ndërsa për 13.3 për qind problemi është rritja e çmimeve dhe inflacioni. Paga minimale në Maqedoninë e Veriut arrin në 22.500 denarë (365 euro), ndërsa mesatarja në 41.939 denarë (680 euro). Por, këto paga nuk pasqyrojnë gjendjen reale pasi lartësinë e tyre e diktojnë pagat e kompanive farmaceutike, të shërbimeve kompjuterike dhe të disa ndërmarrjeve tjera me të ardhura të larta.

    Lajmi Paraprak

    SHKOLLA ME VETËM 9 NXËNËS! | Migrimi po mbyll paralelet shqipe në Qendër Zhupë

    Lajmi i rradhës

    Në Pollog ka mbi 1000 zejtarë, por mezi 7 për qind aplikojnë për mbështetje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë