Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish për incidentin që ka ndodhur më 2 gusht në aeroportin e Shkupit, ku siç kishte njoftuar presidenca, pjesëtarë të sigurimit kanë tentuar t’ia marrin telefonin presidentes Vjosa Osmani për ta vendosur në skanerë.
Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani për RTV21 ka thënë se në asnjë shtet të botës, nuk ia marrin telefonin për skanim kreut të shtetit.
Në përgjigjen e tij thuhet se me këtë veprim ”RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare”, teksa ka shtuar se ”RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare”.
”Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit. Nga dhjetëra vende që kemi vizituar deri sot, RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdo kund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare. Presidentja nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit, pra ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Ndryshe, Shërbimet në Aeroportin e Shkupit, përgjegjëse për kontrollet e sigurisë, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe në bazë të standardeve ndërkombëtare, u tha në raportin e Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC) të Maqedonisë së Veriut.
Sipas raportit, është konstatuar se shërbimet e aeroportit që janë përgjegjëse për kontrollet e sigurisë kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe u janë përmbajtur rregullave që zbatohen ndërkombëtarisht, duke mos lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedurave, qoftë edhe nën presionin e personave që shoqërojnë pasagjerët.