Borxhi publik do të rritet, deficiti do të thellohet. Si të ardhurat ashtu edhe shpenzimet janë në rritje. Qeveria e re ristrukturoi buxhetin e shtetit. Ajo planifikon të mbledhë gati 5.1 miliardë euro, për të shpenzuar 5.8 miliardë euro. Do të ketë më shumë para për paga dhe pensione, por borxhi publik do të rritet nga 62 që është aktualisht në 68 për qind të PBB-së, që do të jetë më e ulët se sa ishte parashikuar fillimisht.
Me rebalancin apo rishikimin e buxhetit janë siguruar rreth 325 milionë euro nga zërat në të cilët ka pasur realizim të dobët, ndërsa më pak se 200 milionë euro apo 11 miliardë denarë të tjera janë planifikuar për mbulimin e obligimeve të papaguara, si dhe obligimeve që kanë qenë të ligjshme dhe nuk janë planifikuar.Rritet me mbi 175 milionë euro edhe deficiti buxhetor. Mirëpo, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska siguron se është bërë kujdes që të mos dëmtohet rejtingu kreditor i vendit, dhe premtoi një buxhet të qëndrueshëm dhe zhvillimor për vitin e ardhshëm.
Sipas parashikimeve, ky vit do të mbyllet me një rritje modeste prej 2.1 për qind, në vend të 3.4 për qind. Rritja pritet të nxitet nga kërkesa e brendshme, ndërkohë që eksportet neto pritet të kenë një kontribut negativ në rritje. Inflacioni do të jetë 3.5 për qind. Në gjysmën e dytë të vitit pritet një ngadalësim i mëtejshëm i rritjes së inflacionit, pra stabilizim i çmimeve të ushqimeve dhe energjisë elektrike si dhe presion më i moderuar nga inflacioni bazë.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, duke prezantuar ndryshimet kryesore të buxhetit, njoftoi se për paga do të ndahen gjithsej 4,1 miliardë denarë (66 milionë euro) dhe pesë miliardë denarë (81 milionë euro) për pagesën e pensioneve.
Ajo theksoi se inflacioni parashikohet në nivelin 3.5 për qind dhe rritja e pagës neto me 13 për qind.
“Gjatë përgatitjes së ribalancit janë bërë supozime se sa mjete mund të rishpërndahen nga zërat që tregojnë realizim të dobët. Me rishpërndarjen janë siguruar 20 miliardë denarë (325 milionë euro), ndërsa janë planifikuar edhe 11 miliardë denarë (178 milionë euro) për mbulimin e obligimeve të papaguara dhe obligimeve që kanë qenë të ligjshme dhe nuk kanë qenë të planifikuara. Kjo rezulton me rritje të deficitit buxhetor për 11.1 miliardë denarë (181 milionë euro)”, tha Dimitrieska-Koçoska.
Ajo filloi prezentimin e rishikimit të buxhetit të shtetit me konstatimin se gjendja e përgjithshme është më e keqe edhe se pritshmëritë e qeverisë së re ku në buxhet kanë munguar bile 500 milionë euro. Bile thuhet se qeveria e mëparshme ka harxhuar të gjitha të hollat për këtë viti, përderisa planifikimet kanë qenë deri në muajin qershor. “Kam premtuar se do të jem gjithmonë e sinqertë para qytetarëve. Gjetëm një gjendje që do të thotë një vend në kaos dhe borxhe, një listë dëshirash në vend të zhvillimit. Ekonomia është në vdekje klinike”, theksoi Dimitrieska Koçoska.
Ajo shtoi se buxheti është dëmtuar për më shumë se 32 miliardë denarë (520 milionë euro). Ajo pret, siç përmendi, pret që Prokuroria Themelore Publike të reagojë për situata të tilla. “Mund të them se ka shumë detyrime të prapambetura që nuk janë raportuar. Për më tepër, kompetenca i takon institucioneve të tjera. Gjendjet e konstatuara takojnë Ministrisë së Financave”, tha Dimitrieska Koçoska.
Do të kthehen edhe borxhet e Ndërmarrjes së transportit urban në Shkup, asaj të rrugëve shtetërore, ElektroeEkonomisë, hekurudhave. Termocentralet do të ndihmohen tani në gusht, por më pas nuk do të ketë mbështetje për to dhe do të duhet të punojnë vetë.
E pyetur për rritjen e pagës minimale, siç kërkohet nga Sindikatat, ministrja thotë se fillimisht lipset analizë në sektorin publik, dhe pastaj vendimi. Megjithatë, korrigjimi ligjor i pagave në administratë mbetet. Në janar duhet të paguhen borxhet e jashtme prej 636 milionë euro, për të cilat do të duhet të merret një kredi e re. Gjithashtu në disa prej institucioneve ka pasur paga të planifikuara deri në qershor.
Ndër të tjerash janë siguruar një miliard denarë për pagesën e ndihmës juridike financiare në zonat për të cilat qeveria e kaluar ka ditur, por nuk ka paraparë në buxhet, pastaj 322 milionë denarë për KSHZ-në për pagesën e mediave të cilat nuk ishin planifikuar dhe sipas Kodit Zgjedhor ka obligim ligjor për ta, si dhe 644 milionë denarë për ushqime dhe bursa studentore, si obligim ligjor që nuk ishte i paraparë.
Për investime kapitale nëpër komuna janë planifikuar 6 miliardë denarë. Njëherësh 143 milionë denarë janë dedikuar për shërbimet konzullore-diplomatike si obligim ligjor, 150 milionë denarë për Radio Televizionin e Maqedonisë që po ashtu nuk ishte paraparë, 400 milionë denarë për shpenzimet e tranzicionit për shtyllën e dytë për sigurim pensional dhe shëndetësor, për pensionistët 879 milionë denarë, 1.7 miliard për Fondin Shëndetësor për pagesën e detyrimeve të vonuara dhe pushimet mjekësore, 1.7 miliardë denarë për subvencione për fermerët, të cilat po ashtu janë të obligueshme.
Janë planifikuar edhe 550 milionë denarë për vauçerët në sport, të cilat janë obligim ligjor dhe nuk janë planifikuar fare, si dhe 80 milionë denarë për Byronë për Zhvillimin e Arsimit, gjegjësisht për tekstet shkollore që të fillojë viti dhe çdo fëmijë të ketë tekste shkollore.
Për TVSH-në time janë paraparë 1.3 miliard denarë të cilat nuk janë paraparë me buxhetin ekzistues.
Në seancën e së martës së qeverisë, Ministria e Financave ka propozuar disa konkluzione të cilat janë miratuar, të cilat i obligojnë shfrytëzuesit dhe subjektet buxhetore me rastin e lidhjes së marrëveshjeve kolektive të kenë parasysh mjetet e miratuara buxhetore dhe të mos ndërmarrin obligime për të cilat nuk kanë mjetet e siguruara në Buxhetin për vitin aktual dhe shumat maksimale të përcaktuara të shpenzimeve në afat të mesëm.
Nga ndërmarrjet publike dhe shoqëritë aksionare shtetërore obligohen gjithashtu që me rastin e lidhjes së marrëveshjeve kolektive të kërkojnë mendim nga Ministria e Financave, pastaj gjatë zbatimit të Buxhetit, përfituesit buxhetorë të mos marrin përsipër detyrime përtej mjeteve të parashikuara nga buxhetin për vitin përkatës fiskal.
Ata shfrytëzues buxhetor që realizojnë aktivitete vetëfinancuese dhe kanë mjete të papërdorura në gjendjen e llogarisë, funksionimi aktual i institucionit duhet të financohet duke përdorur mjete nga llogaritë e tyre në vend të mjeteve buxhetore.Komunave, ndërmarrjeve publike dhe shoqërive tregtare shtetërore u rekomandohet të konsolidojnë financat e tyre, pra të ndërmarrin veprime për të rikuperuar aktivitetet e tyre dhe për të reduktuar shpenzimet joproduktive. /Koha/