Në Komunën e Dibrës, nga viti në vit ulet numri i shoqatave qytetare si dhe aktiviteti i tyre. Para një dekade, numri i shoqatave dhe klubeve ka qenë disa herë më i madh në krahasim me numrin aktual të tyre, kurse aktivitetet që realizojnë ata dukshëm janë reduktuar. Si shkaqe kryesore, sipas udhëheqësive të shoqatave që aktualisht janë aktive, është mungesa e mjeteve financiare për realizimin e aktiviteteve, por edhe mospërkrahja sa duhet nga pushteti lokal dhe ai qendror.
Nga shoqatat thonë se kanë probleme edhe me kuadrot për të marrë pjesë në përgatitjen e projekteve si brenda, ashtu edhe ato ndërkufitare. Po ashtu duhet të theksohet edhe ulja drastike e fondeve që më parë ndanin për projekte të ndryshme organizatat ndërkombëtare, me çka shoqatat lokale realizonin projekte në sferën e ekologjisë, zhvillim të proceseve demokratike, zhvillimin e arsimit…
Lider në sferën e sektorit joqeveritar në Komunën e Dibrës ishte dhe mbetet shoqata qytetare “Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm të Bashkësive”. Kjo shoqatë deri tani ka realizuar numrin më të madh të projekteve në shumë sfera, por njëkohësisht ajo ka dhanë dhe jep një përkrahje të fuqishme edhe për shoqatat të tjera simotra në nivel lokal.
Koordinatori i kësaj shoqate, Shuip Marku, për gazetën Koha tregon se ka një ulje drastike të shoqatave dhe klubeve të regjistruara në Dibër, ndërsa krahasuar me para më shumë se një dekade, kur ishin mbi 80 të tilla, sot aktive janë diçka më shumë se 20.
“Rëndësia e projekteve të shoqatave në nivel lokal është shumë e madhe. Kjo do të thotë se aktivitetet në sektorin qytetar janë të dobishme edhe për popullatën dhe institucionet lokale. Ulja e numrit të shoqatave dhe klubeve ka të bëjë me problemin e financave, por edhe aktivitetet që realizojnë vetë udhëheqësitë e shoqatave. Vlerësojmë se duhet të shtohet aktiviteti i shoqatave qytetare në shumë sfera. Ne si shoqatë kemi bashkëpunim shumë të mirë me pushtetin vendor, por edhe me biznesin, institucionet e tjera si dhe me shoqatat në nivel lokal dhe jo vetëm”, thotë Marku dhe shton se shumë projekte në sferën e ekologjisë, zhvillimit të demokracisë, kulturës, të drejtave të grave e tjerë, i ka realizuar pikërisht kjo shoqatë.
Megjithatë, në shoqatën qytetare “Një dollar për Dibrën” ankohen për përkrahjen e dobët që kanë shoqatat si nga pushteti vendor, ashtu edhe nga pushteti qendror. Dritan Lleshi, përfaqësues i kësaj shoqate thekson se ata posedojnë projekte në shumë sfera, por për shkak të mungesës së mjeteve, nuk munden ti realizojnë.
“Na nevojitet më shumë përkrahje se sa na ofrohet, meqë projektet kushtojnë. Kemi shumë projekte të mira që kanë të bëjnë me mbrojtjen të mjedisit jetësor me qenë se Dibra ka ndotje të tokës, ujit dhe ajrit, por edhe projekte me karakter humanitar. Kemi edhe projekte të tjera në disa sfera”, shton Lleshi.
Një problem tjetër është edhe mungesa e kuadrove në shoqatat qytetare për të përgatitur dhe konkurruar në projektet ndërkufitare. Të theksojmë se pushteti vendor tanë më dy vite shpall konkurse për përkrahje të shoqatave, klubeve dhe individëve për realizimin e projekteve. Komuna ka informuar se të gjithë ata që konkurrojnë marrin mjete në përputhje me mundësitë e pushtetit vendor.