Refugjatët ukrainasë në RMV mund të aplikojnë për azil

    Dy vite pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, sfidat me të cilat përballen ukrainasit që vendosën të vijnë në Maqedoninë e Veriut po fillojnë dalëngadalë të zgjidhen. Sipas kreut të shoqatës “Lesja Ukrainka”, Oleksandër Urbanoviq, pengesat kapërcehen përmes kërkesës për statusin e azilit.

    “Në Maqedoni kemi rreth 700 refugjatë dhe për dallim nga viti paraprak, ata kanë mundësi të aplikojnë për azil, dhe tashmë ka persona që kanë marrë statusin e azilit, dhe me atë status tashmë i kapërcejnë pengesat që kanë pasur më parë, kështu që do të kenë sigurim shëndetësor dhe mundësi punësimi”, tha Oleksandër Urbanoviq- Shoqata “Lesja Ukrainka”.

    Siç shton Urbanoviq, ukrainasit në vend janë mirënjohës për ndihmën e ofruar, veçanërisht ushtarake, sepse Maqedonia e Veriut është vendi i katërt i NATO-s, për sa i përket donacioneve për kokë banori. Deri më tani vendi ka marrë 12 vendime për ndihmë ushtarake, ku përfshihen tanke, helikopterë dhe aeroplanë. Së fundmi, Ministria e Mbrojtjes theksoi në nëntor se kishin marrë një kërkesë nga Kievi për ndihmë të re ushtarake, por deri më tani nuk ka pasur përgjigje pozitive.

    “Lufta është ende duke vazhduar dhe nëse ka mundësi për ndihmë për Ukrainën, ne do ta kërkojmë. Është e nevojshme që ajo të jetë e vazhdueshme, sepse pa ndihmën e vazhdueshme për Ukrainën, ajo vështirë se mund të luftojë e vetme me një kundërshtar të madh si Rusia”, shtoi Oleksandër Urbanoviq – Shoqata “Lesja Ukrainka”.

    Urbanoviq shtoi gjithashtu se përkundër numrit të madh të qytetarëve në vend që janë të ndjeshëm ndaj ndikimit rus, ukrainasit në Maqedoninë e Veriut nuk janë përballur me ndonjë incident serioz. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Sela: ka shumë akterë politikë që mundohen të shfrytëzojnë imazhin e VV

    Lajmi i rradhës

    Zgjedhja e presidentit në Kuvend, nevojë apo fushatë parazgjedhore?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë