Refuzohet propozimi i BE-së nga Greqia për monitorimin e kufijve

    Greqia ka refuzuar një kërkesë nga Bashkimi Evropian për të krijuar një proces të pavarur për të monitoruar kontrollet kufitare dhe emigracionin e paligjshëm.

    Refuzimi grek thuhet se ka zemëruar Brukselin, i cili ka qenë jashtëzakonisht kritik ndaj Athinës për praktikën e saj të dyshuar si ilegale në refuzimin e emigrantëve. Refuzimi mund të rrezikojë miliona dollarë në mbështetjen financiare që i duhet Greqisë për të rritur aftësitë e saj në parandalimin e emigracionit të paligjshëm. Kjo është veçanërisht e vërtetë pasi Evropa përgatitet për një valë emigrantësh afganë drejt Perëndimit pas marrjes nën kontroll të vendit nga talebanët.

    I pyetur në parlament, Ministri grek për Emigracionin, Notis Mitarakis ofroi një përgjigje të prerë nëse ai do të lejonte BE-në të krijojë një entitet mbikëqyrës të pavarur për të monitoruar kontrollet kufitare dhe emigracionin e paligjshëm.

    Ai tha se ndërsa qeveria në Athinë ishte e hapur për të diskutuar formimin e komisioneve të pavarura monitoruese mbi emigracionin në të gjithë BE-në, Greqia nuk ishte e gatshme, siç tha ai, “të vepronte e vetme”.

    Zoti Mitarakis tha se krijimi i një entiteti të tillë që do të mbikëqyrë se si Greqia po i largon emigrantët ilegalë dhe nëse po ndodhin goditje të paligjshme, nuk është ndër përparësitë e qeverisë.

    Nuk ka një çështje të tillë, këmbënguli ai. Ai pohoi se është një e drejtë sovrane e Greqisë të mbrojë kufirin e saj siç e shikon të arsyeshme.

    Greqia ka shtuar patrullat përgjatë bregut të Detit Egje dhe ka ngritur një mur çeliku masiv përgjatë kufijve të saj tokësorë me Turqinë, për të shmangur një valë të re emigrantësh.

    Udhëheqësit grekë po shqyrtojnë gjithashtu krijimin e barrierave lundruese përgjatë rrugës ujore të Egjeut që ndan Greqinë dhe Turqinë. Dhe me Perëndimin duke u përgatitur për një eksod të ri emigrantësh nga Afganistani, Athina thotë se po përgatit një fushatë të madhe mediatike për të bërë të ditur se nuk po lejon më kalimin e lirë për personat që hyjnë ilegalisht.

    Raportet nga OKB -ja, organizatat e ndihmave humanitare dhe të emigracionit janë duke dokumentuar numrin në rritje të emigrantëve që janë kthyer mbrapsht – shpesh duke përdorur praktika të papranueshme si “refuzimin”.

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq nuk beson në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe

    Lajmi i rradhës

    Dimitrevski: Nuk morëm përgjigje për asnjë shkresë nga MASH për shkollën “Sami Frashëri”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë