Procesi i regjistrimit në fakultetet është në ritëm të rrjedhshëm, ndërsa studentët e ardhshëm tashmë kanë aplikuar në mënyrë elektronike dhe mjafton të dorëzojnë dokumentet e nevojshme. Një pjesë e madhe e tyre zgjedhin studimet që i shohin si një rrugë drejt një karriere të suksesshme, dhe si një mundësi për të kontribuar në sfidat globale.
Sferat e ekonomisë po sjellin inovacione dhe po premtojnë për të ardhmen e vendit dhe sfidat globale. Prandaj Diellza Memeti u regjistrua në Fakultetin e Ekonomisë. Ajo tha për gazetën Koha se për studentët është e rëndësishme të zgjedhin drejtimet për suksesin e sigurt të tyre brenda dhe jashtë vendit.
“Zgjodha ekonominë sepse po premton shumë, i kam ndjekur që nga viti i kaluar. Kam dëgjuar edhe për ‘Green Economy’, dhe shumë inovacione tjera. Ne si studentë duhet të ndjekim rrugën e suksesit jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit”, tha ajo.
Edhe drejtimi i IT-së viteve të fundit ka marrë një hovë vërtetë të madh. Studentët theksojnë se për dallim nga drejtimet e tjera, ky drejtim po sjell përftime mujore sa tre rroga të një matematicienti.
“Unë synoj tregjet ndërkombëtare dhe dua të jem aty ku duhet të jem. Më shkon shumë matematika, mirëpo si programer kam përfitime trefish më shumë se si matematicientë. Fatkeqësish, jemi këtu dhe detyrohemi të zgjedhim këto drejtime. Sot më nuk është e rëndësishme se çka po kërkohet, por sa po ofrohet”, theksoi A.D.
Nga ana tjetër, interesi në shkencat matematikore po zbehet, ku numri i studentëve që po i zgjedhin këto lëmi dhe shkencat e tjera natyrore, po bie çdo vit e më shumë. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), numri i studentëve të diplomuar në matematik dhe shkenca tjera natyrore ka rënë ndjeshëm, pavarësisht se po kërkohen shumë.
Procesi po zhvillohet në 23 fakultete në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi (USHM), ku janë të lira gjithsej 9.921 vende për studentët e rinj. Numri më i madh është në Fakultetin për Shkenca Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike (FINKI) me 1.020 vende dhe në Fakultetin Matematiko-Shkencor me 1.030 vende. Një numër i konsiderueshëm vendesh ka edhe në Fakultetin Filozofik me 895, në Fakultetin Filologjik me 790, në Fakultetin Juridik me 705 dhe në Fakultetin Ekonomik me 700 vende të lira.
Ndër të tjera, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) prezantoi dy masa të reja për përmirësimin e kushteve për studentët. Është rritur sasia e vaktit të studentëve, e cila tashmë do të jetë realiste dhe do të lehtësojë shpenzimet e jetesës së studentëve. Kjo masë do të përfshijë edhe studentët e rinj të vitit të parë që do të fitojnë statusin e studentit brenda datës 20 shtator. Gjithashtu, masa e bursave për studimet e ciklit të dytë do të hapet edhe për studentët që kanë përfunduar studimet trevjeçare të ciklit të parë, gjë që nuk ishte e mundur më parë, duke ofruar mundësi më të mëdha për më shumë se 1000 studentë.