Republika Sërpska vendos që të mos publikojë më vendimet e përfaqësuesit të lartë

    Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar ndryshime në një ligj që thotë se vendimet e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë më nuk do të njihen.

    Gjatë një seance të jashtëzakonshme më 21 qershor, deputetët miratuan ndryshimet në Aktin për publikimin e ligjeve dhe rregullatorëve të tjerë. Miratimi i këtyre ndryshimeve u trajtua si çështje me urgjencë. Pesëdhjetë e katër nga 61 deputetët e pranishëm votuan për ndryshimet, ndërkaq shtatë abstenuan.

    Sipas ligjit aktual, aktet ligjore në Republikën Sërpska hyjnë në fuqi kur publikohen në gazetën zyrtare, e cila publikon legjislacionin që miratohet nga autoritetet më të larta, përfshirë edhe të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar. Ndryshimet e miratuara e kanë hequr përfaqësuesin e lartë nga lista e autoriteteve që miratojnë legjislacione të cilat më pas publikohen në gazetën zyrtare.

    Ky vendim po shihet si pjesë e përpjekjeve të disa zyrtarëve për shkëputjen e Republikës Sërpska. Po ashtu, ky vendim është në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 që i dha fund luftës së Bosnjës. Sipas kësaj marrëveshjeje është instaluar një i dërguar ndërkombëtar që mbikëqyrë zbatimin e paqes.

    Serbët në entitetin e Republikës Sërpska, nuk e njohin Christian Schmidt, i cili u emërua përfaqësues i lartë më 2021, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk e ka përkrahur emërimin e tij. Kina dhe Rusia nuk janë pajtuar me emërimin e tij, pasi ai nuk është konfirmuar nga Këshilli, por shtetet e tjera kanë thënë se kjo nuk është e nevojshme.

    Përfaqësuesi i lartë ka fuqi të shkarkojë zyrtarë dhe të hartojë ligje pasi është interpretuesi i fundit i Kushtetutës edhe pse vendimet e tij mund të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.

    “Sot, Bosnje e Hercegovina nuk ka përfaqësues të lartë. [Schmidt] nuk është përfaqësues i lartë dhe ky është mesazhi i Republikës Sërpska”, tha në Parlament Radovan Viskoviq, kryeministër i Republikës Sërpska.

    Më herët gjatë javës, Schmidt paralajmëroi se serbët do të përballeshin me pasoja – të paspecifikuara – nëse ata shkelin marrëveshjen e paqes apo refuzojnë të pranojnë vendimet e tij.

    Nënshkruesit e Marrëveshjes së Dejtonit, përfshirë Republikën Sërpska “kanë për obligim të bashkëpunojnë plotësisht me përfaqësuesin e lartë”, tha zyra e Schmidt.

    Vendimi i Republikës Sërpska është mbështetur nga Ambasada ruse e cila ka thënë se Schmidt nuk është përfaqësues legjitim.

    Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe më 23 maj ai vizitoi Kremlinin dhe u takua me presidentin rus, Vladimir Putin. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Katër arsye përse nuk duhet ta teproni me bukën

    Lajmi i rradhës

    Vendet ku dhënia e bakshishit konsiderohet mungesë respekti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë