“Reset” për drejtësinë? Mickoski sfidon sistemin, kërkon hetime për të gjithë, përfshirë veten

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë përurimit të rrugës fshati Pallaticë – Tetovë, ka bërë thirrje publike ndaj Prokurorisë që të rishqyrtojë disa nga rastet më të ndjeshme të viteve të fundit, siç janë “Spitali Modular” në Tetovë, aksidenti tragjik në “Llaskarcë” dhe rasti “Besa Trans”, shkruan Nistori.

    Duke theksuar nevojën për drejtësi të barabartë për të gjithë, Mickoski kërkoi që institucionet e drejtësisë të veprojnë pa ndikim politik dhe të hetojnë të gjithë ata që mund të kenë qenë përgjegjës në këto raste tragjike.

    “Hetimin nuk e bënë qeveria, por Prokuroria, vendimin e marrin gjykatësit. Ne kemi thënë se prokurorët dhe gjykatësit nuk kanë legjitimitet, pasi e dijmë se ata janë zgjedhur në shtabet e LSDM-së dhe BDI-së, është e logjikshme që ata të marrin vendim të tillë për vëllanë e ish-ministrit. Ata gjykatës dhe ata prokurorë punojnë në këtë mënyrë. Që të ndryshojë mënyra e punës së tyre duhet reset i plotë i gjyqësorit dhe prokurorisë. Por këtë do ta bëjmë duke mos shkelur ligjet dhe Kushtetutën”, deklaroi Mickoski.

    Ai shtoi gjithashtu se: “Derisa unë jam kryeministër do të ketë drejtësi për të gjithë. Të gjithë jemi të barabartë. Ftoj Prokurorinë të rishqyrtojë të gjitha rastet te të cilat ka pasur dyshime, si ai në Spitalin Modular, Llaskarcën, Besa Trans, si dhe tani në Koçan. Të hetojë të gjithë, përfshirë edhe mua”.

    Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u shpreh përpara mediave se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe të mos lejojë ndërhyrje politike. Ai kërkoi që rastet të trajtohen me përmbajtje dhe jo me qëllim kamuflimi.

    “U bëjë apel gjykatësve dhe prokurorëve që edhe spitalin modular edhe rastet tjera, t’i trajtojnë në esencën e problemit dhe jo për të kamufluar, siç kanë ndodhur me rastet tjera, Besa Trans dhe Durmo Tursi, sepse esenca ka qenë për të mbuluar të vërtetën”, tha Kasami.

    Ai shtoi gjithashtu se qeveria aktuale po përpiqet të reformojë sistemin gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve, sepse këto janë në kupolën e sistemit të drejtësisë.

    Rastet që përmenden kanë tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut për shkak të humbjeve të mëdha në njerëz dhe dyshimeve për neglizhencë institucionale. Thirrjet për transparencë dhe drejtësi të vërtetë po marrin gjithnjë e më shumë jehonë në skenën politike dhe publike. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Dy punonjës të ambasadës izraelite u vranë në Uashington – i dyshuari thirri “liri për Palestinën”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë