REVANSHIZËM GJITHANDEJ / S’ka hapësirë për mendim ndryshe!

    Me afrimin e zgjedhjeve po nxehet edhe situata politike në vend. Ditëve të fundit kemi parë zhvillime dinamike në Aleancën për Shqiptarët. Dy grupacione me dy mendime diametralisht të kundërta. Grupi i Taravarit i cili mendon të shkojë në garën zgjedhore bashkë me bllokun opozitar – LEN dhe grupi i ish-kryetarit Sela që të shkojnë vet në zgjedhje.

    Derisa ato që mendojnë ndryshe nga ish-kryetari Sela, menjëherë izolohen, shkarkohen ose përjashtohen nga puna. Deri më tani janë shkarkuar dy drejtor që kanë përkrahur Taravarin, derisa në Parlament është dërguar edhe nisma për shkarkimin e dy ministrave të ASH-së, Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti.

    Për presionin dhe revanshizmin politik që po bëhet ndaj aktivistëve të ASH-së, ka shkruar edhe kreu i kësaj partie, Arben Taravari. Ai ka thënë se te disa nga aktivistë të ASH-së po tentohet të frikësohen me metodën klasike të sistemit që po e shembin, atë të kërcënimit me “largim nga puna”.

    “Kot është…Ndryshimi ka nis dhe nuk e kthen prapa asnjë dhe asgjë! Ju që përdorni pushtetin në këtë mënyrë, ju ftoj të blini një kalendar ose të shikoni te kalendari i celularit tuaj dhe të lexoni… 8 maji është Shumë por shumë afër! Divergjencat që kemi ne në ASH, lini t’i zgjidhim ne në mënyrën tonë demokratike dhe mos u turpëroni me këto veprime sepse shantazhi nuk pi ujë tek Asnjë Anëtar i Aleancës kudo dhe kushdo qoftë! Ndryshimi nuk ndalet…8 maj!”, ka shkruar Taravari.

    Nga ana tjetër, Artan Grubi përmes e-mail-eve urdhëron drejtorët e klinikave të BDI-së të mos marrin dhe të mos respektojnë asnjë vendim nga ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti për shkarkim, dhe nëse është e nevojshme të marrin pushim mjekësor për t’u justifikuar si mungesë dhe për të shmangur shkarkimet e mundshme. Sipas mesazheve të dërguara që dolën në një pjesë të mediave, bëhet e qartë se përveç acarimit të marrëdhënieve në vetë partinë Aleanca për Shqiptarët, nga radhët e së cilës vjen ministri Mexhiti, i cili ka kaluar në krahun e Arben Taravarit, po hapet edhe një front mes ASH-së dhe BDI-së.

    Ministri Mexhiti paraprakisht ka pohuar se përballet me presione dhe pengesa nga Qeveria gjatë realizimit të projekteve si punësimi, garazhet shumëkatëshe dhe zgjerimi i listës pozitive të barnave, ndërsa fajin ia ka hedhur drejtpërdrejt ministrit të Sistemit Politik Artan Grubi.

    Ai sërish akuzoi se BDI-ja është përgjegjëse për përçarjen në Aleancë dhe akuzoi se një pjesë e anëtarëve të partisë punonin me BDI-në për interesa personale. Ai u tha qytetarëve që të jenë të sigurt se tentimi për ngritjen e kalit të Trojës nga BDI nuk do të ketë sukses.

    Politologu dhe hulumtuesi Meriton Tusha, për gazetën Koha, ka deklaruar se pothuajse kur afrohen zgjedhjet, hapen portat e “ferrit”. Sipas tij, ky obsesion me të reduktuarit e politikës në territorializim feudal të saj deformon kornizat demokratike dhe meritokracinë.

    “Sepse në bërthamë si metodë kyçe e përmban përjashtimin. Kjo formë, që së pari e shkel meritokracinë dhe së dyti e rrit fiksimin mbi Tjetrin si armik mbi një zhvendosje të betejës në kampanjat politike parazgjedhore me ide – ku niveli i të kundërtës është kundërshtari e jo armiku—në luftë brenda-institucionale për poste të caktuara mbi të dëgjueshmit/dhe të padëgjueshmit, apo mbi tanët dhe të tyre. Prandaj, kjo qasje mbi shkeljen e meritokracisë e ul cilësinë e kuadrove që udhëheqin pozita të caktuara”, deklaron ai.

    Tusha ka shtuar se duhet të ri-definohet dhe ritheksohet dallimi midis bindshëmërisë ndaj një linje të caktuar të ndonjë tabori politik nga kompetencat dhe aftësisë. Përpjekja për të arritur unifikim total të këtyre dyjave, siç tha ai, që në mjaft raste janë të kundërta, zakonisht e eliminon të dytën.

    “Kjo sjell pasoja tjera, ku polarizimi nuk është politik vetëm përbrenda kornizave demokratike përgjatë fushatave, apo në parlament që realisht në vetvete është demokratik, por degradon përbrenda institucioneve administrative ku zhvillon betejë duke targetuar individë të caktuar përmes dallimit të tanët dhe të tyret”, deklaron në fund Tusha, politolog.

    Lajmi Paraprak

    Vaji i peshkut për shëndetin e fëmijëve

    Lajmi i rradhës

    Faturat e mistershme – Kush po e paguan rrymën në veri?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë