Rezultatet e regjistrimit të popullsisë sjellin përplasje mes partive politike

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se balanceri si mekanizëm për rregullimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore duhet të merr për bazë numrin e qytetarëve rezident.

    Sipas tij, punësimet bëhen për qytetarët që jetojnë brenda vendit dhe struktura administrative shtetërore duhet rregulluar mbi këtë parim.

    “Balanceri dhe Kushtetuta janë vendime politike të cilat merren përmes marrëveshjeve politike. Nëse e shohim logjikën, në administratë punësohen qytetarët rezidentë, pra të gjithë ata të cilët jetojnë këtu. Do të ishte normale që ata të cilët janë rezidentë të futen në kalkulimet për punësime në sektorin publik”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

    Por partnerët e koalicionit të LSDM-së kundërshtojnë idenë e kryeministrit. BDI-ja vlerëson se përfaqësimi i thirret regjistrimit të përgjithshëm njëjtë si në vitin 2002.

    “Politikat e përcaktuara në Kushtetutë dhe Marrëveshjen e Ohrit i referohen popullsisë së përgjithshme të vendit, njëjtë si pas regjistrimit të vitit 2002 kur shqiptarët ishin 25.17% nga popullsia e përgjithshme, ashtu edhe pas regjistrimit të vitit kaluar në të cilin shqiptarët përfaqësojnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme të vendit”, thonë nga BDI.

    Alternativa kërkon që interpretimi i balancerit të bazohet në Kushtetutë dhe ligj.

    “Mendojmë se ai duhet të bazohet në numrin e përgjithshëm të banorëve të vendit tonë, sepse shtetasit e tanë që nuk janë rezidentë trajtohen si qytetarë me qëndrim të përkohshëm jashtë vendit  dhe një prej arsyeve kryesore pse ata janë jashtë vendimit është pikërisht mungesa e vendeve të punës”, thonë nga Alternativa.

    Opozita shqiptare vlerëson se deklarata e Kovaçevskit është dëshmi se Qeveria po punon për largimin e qytetarëve nga vendi. Lëvizja Besa vlerëson se çdo ditë e më tepër po dëshmohet dyshimi i tyre se regjistrimi i popullsisë ishte pazar politik.

    “Deklarata e Kovaçevskit është edhe një dëshmi e qasjes së partive në pushtet për të përjashtuar qytetarët nga të gjitha proceset. Kjo dëshmon se ky pushtet me politikat e gabuara ka përzënë nga shteti për shumë se 10 për qind të popullatës dhe tani nuk dëshiron të dëgjojë për këta qytetarë të cilët gjithçka që fitojnë në  mërgatë e rikthejnë në vendlindje”, thonë nga Lëvizja Besa.

    Aleanca për Shqiptarët vlerëson se deklarata e kryeministrit shpalos arsyet e vërteta pse popullata u nda në rezidente dhe jo rezidente.

    “Kovaçevski konfirmon atë që ne e paralajmëruam që kur filluan manipulimet me regjistrimin. Ai sot po shpalos arsyet e vërteta përse u nda popullata në rezident dhe jo rezident, përse u shty hovi i diasporës dhe përmes u futën të “imputuarit”. Këta që përmes diskriminimit e rritën migrimin tek shqiptarët, tani migrimin e përdorin për diskirminim”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Balanceri paraqet mekanizëm për rregullimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore të nivelit qëndron dhe lokal. Ai disa herë deri tani është manipuluar përmes deklarimeve të rrejshme të qytetarëve për përkatësinë e tyre etnike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ndotet uji në Tetovë, do të ketë kufizime të ujit

    Lajmi i rradhës

    Ministria kërkon mirëkuptim nga mësimdhënësit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë