Sot në Kodrën e Diellit u rihap ambulanca emergjente, pasi prej kohës së pandemisë (Covid 19) e deri më tani nuk ka qenë në funksion. Drejtori i spitalit të Tetovës, Agim Berisha dhe drejtori i Kodrës së Diellit, Gani Aliji për Nistorin thanë se ambulanca do të ofrojë shërbime urgjente, si ato kardiologjike dhe traumatologjike.
“Do të ofrohen shërbime urgjente, ndaç për raste kardiologjike apo raste traumatologjike. Më tepër është për raste traumatologjike. Do të bëhet mobilizimi këtu dhe më pas do të përcillen në spitalin e Tetovës. Ekipi i ambulancës do të jetë këtu deri në fund të sezonës. Brenda pushimeve do të ketë tërë javën mjek, pastaj do të shohim me raste, por për fundjavë do të ketë gjithsesi”, deklaroi Agim Berisha, drejtor i spitalit klinik të Tetovës.
Drejtori i Kodrës së Diellit, Gani Aliji tha se ambulanca disa vite nuk ka qenë në funksion dhe me kërkesë të tij deri te spitali i Tetovës, sot u bë e mundur që ambulanca të ofrojë përsëri shërbime mjekësore për turistët.
“Unë si drejtor kisha një kërkesë deri te spitali i Tetovës, ambulanca e cila për shumë vite nuk ka qenë në funksion, sot përsëri të fillojë me punë me qëllimin që t’u përgjigjet turistëve. E falënderoj drejtorin i cili na u përgjigj pozitivisht. Është punuar disa ditë derisa është rregulluar kjo ambulancë që qytetarët të kenë ku të drejtohen. Ne si qendër skijimi kemi katër shpëtimtarë në terren, por gjithashtu ka njerëz që nuk janë skiatorë që qëndrojnë në shtëpiza dhe mund të drejtohen për emergjencë”, tha drejtori i Kodrës së Diellit, Gani Aliji.
Ndryshe, disa nga problemet kryesore të raportuara nga Nistori në lidhje me Kodrën e Diellit në Tetovë, të cilat shqetësojnë turistët janë ndërtimet e pa kontrolluara, mungesa e parkingut, mungesa e infrastrukturës, duke përfshirë rrugët, kanalizimet dhe shërbimet publike. /Nistori/