Tashmë shtatë javë transportuesit privatë nuk kanë marrë asnjë denarë nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik për shpenzimet që kanë. Mungesa e parave ka detyruar transportuesit privatë që shumë autobusë t’i heqin nga qarkullimi duke shkaktuar kaos dhe duke lënë qytetarët të presin me orë të tëra. Sipas qytetarëve të anketuar më problematikë janë autobusët në linjat 9, 19 dhe 20.
“S’ka të rregullt, pse e për çka nuk e di”, tha një qytetar.
“20 minuta jam duke prit, rregullisht nuk ka”, shtoi një qytetar.
“Nuk ka, me orë të tëra presim, nuk ka as 20 e as 19. Si po gjendeni? Me taksi. A keni biletë mujore? Po, kam biletë mujore dhe paguaj taksi, shumë vështirë. Sa paguani në muaj? 1.400 denarë. Sa paguani për taksi? 50 denarë në një drejtim. Në përgjithësi, sa shpenzoni vetëm për rrugë? Rreth 2 mijë denarë për taksi, gjithsej rreth 3.600 denarë vetëm për transport”, tha një qytetare.
Sipas informacioneve të Alsat, NQP ka mbi 40 milionë denarë borxh ndaj transportuesve privatë. Qytetarët shprehen të revoltuar se bëjnë shpenzime shtesë pavarësisht biletës mujore që kanë. Gjithashtu Alsat mëson se në rast të mos shlyerjes së borxheve linjat e autobusëve do të reduktohen edhe më shumë. Nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik nuk morëm asnjë përgjigje për këtë problematikë. /Alsat/