RMV ka krizë të kuadrove në profile të caktuara

    Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut krijon kuadro që i nevojitet ekonomisë, industrisë, tregtisë dhe madje administratës. Mirëpo ulja e numrit të popullsisë duke përfshirë edhe numrin e nxënësve dhe studentëve ka ndikuar që vendet e reja të punës të kenë mungesë të kuadrit adekuat në profile të caktuara. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska në Samitin e 14 “Maqedonia 2025” tha se arsimi dual është zgjidhja më e mirë për të përgatitur nxënësit për në tregun e punës.

    “Jam veçanërisht e kënaqur që përgjegjësia sociale e kompanive po rritet dhe ato e kuptojnë se janë një hallkë e rëndësishme në sistemin arsimor dhe pa to, pa pjesëmarrjen e tyre në edukimin e të rinjve, shteti nuk do të ishte në gjendje të krijonte vende pune siç i presin. Një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit është arsimi i dyfishtë. Mbi 550 kompani pranojnë nxënës për trajnim praktik dhe ofrojnë mundësi për punësim pas marrjes së diplomës, sigurisht, nëse nxënësi nuk shpreh dëshirë për avancim të mëtejshëm akademik”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

    Panelistët në debatin “Edukimi i së ardhmes: ndërtimi i liderëve, mendimtarëve dhe inovatorëve” theksuan rëndësinë e infrastrukturës në Institucionet arsimore. Sipas tyre punonjësit në arsim përveç kushteve të duhura për punë duhet të motivohen edhe në aspektin financiar.

    “Problemet jo gjithmonë dalin nga nxënësit, mësimdhënësit, profesorët dhe njerëzit që janë këtu për të zbatuar sistemin. Pjesa më e madhe prej tyre fatkeqësisht paguhen shumë dobët dhe sërish vijnë në punë, kryejnë detyrën e tyre dhe motivohen të kujdesen për gjeneratat e ardhshme”, u shpreh Clarisse Behar Molad, profesore.

    Ministrja Janevska kujtoi se pagat e mësimdhënësve tashmë janë rritur për 12 % brenda 10 muajsh, ndërsa sipas marrëveshjes me SASHK-un gjatë mandatit qeveritar pritet të rritet deri në 60% në varësi të normës së inflacionit. Gjithashtu, parashikohen mundësitë për zhvillimin e karrierës dhe avancimin në tituj, si dhe për zhvillimin profesional përmes trajnimeve në tema të ndryshme. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria: do të ketë vetëm zëvendësim të ministrave, jo rikonstruim të ekzekutivit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë