RMV NË HAP ME TRENDET EUROPIANE NË LIDHJE ME BURSAT E ENERGJISË ELEKTRIKE

    Me rritjen e çmimeve të energjisë, përfshirë edhe atë të energjisë elektrike, vëmendja e opinionit, veçanërisht e biznesmenëve, po përqendrohet gjithnjë e më shumë në ngjarjet e bursës së energjisë elektrike. Kjo nuk është për t’u habitur sepse çmimet në tregtinë dypalëshe varen edhe nga çmimi i bursës dhe kompania planifikon biznesin e saj në bazë të tyre. Pritet që pas orientimit më të madh të shitblerjes së energjisë elektrike në Bursën Hungareze në Budapest, që gradualisht kjo tregti me një pjesëmarrje të caktuar të zhvendoset edhe në bursat në Lubjanë, Shkup, Prishtinë dhe Tiranë.

    Pas Kosovës dhe Shqipërisë ku pritet të nisë me punë bursa e energjisë elektrike dhe bursës së përbashkët të Sllovenisë dhe Serbisë, këtë trend pritet ta ndjekë edhe Maqedonia e Veriut. Bursa të tilla ngjashëm me përvojat botërore duhet të sigurojnë çmim transparent për energjinë elektrike për çdo orë përgjatë 24 orëve, ndërsa rryma do të shitet dhe blihet me çmime publike që do të varen vetëm nga oferta dhe kërkesa.

    Në pranverë ajo të nis me punën testuese, ndërsa deri në fund të muajit qershor edhe zyrtarisht pritet që ajo të nisë me punë. Në vend ajo do të themelohet në bazë të Ligjit për Energjetikë të miratuar në vitin 2018, ku si realizues i saj është kompania “MEMO”. Menaxheri i saj, Simon Shutinoski thotë në këtë bursë fillimisht do të tregtohet sipas parimit një ditë përpara apo shitblerja e energjisë nga sot për nesër, ndërsa më vonë do të tregtohet përgjatë ditës dhe me këtë më në fund vendi do të fitojë çmim referent të energjisë elektrike. Në bursë, siç theksoi ai, do të mund të tregtojnë të gjithë ata që duan të marrin pjesë në tregtinë me shumicë të energjisë elektrike, pra të gjithë ata prodhues të energjisë elektrike që duan ta shesin energjinë e tyre në mënyrë transparente, jo diskriminuese dhe të gjithë ata furnizues dhe tregtarë të energjisë elektrike që duan të blejnë energji në të njëjtën mënyrë nga bursa e energjisë elektrike.

    “Ajo pritet të garantojë siguri në shitblerjen e energjisë elektrike për tregti dhe shitjen e saja nga ana e prodhuesve dhe siguri për ata që e blejnë se ky transaksion do të realizohet. Për momentin, tregtimi në Maqedoninë e Veriut bëhet në mënyrë dypalëshe dhe çmimet e tregtuara bazohen kryesisht në çmimet referencë për tregun hungarez. Pra çmimet referencë në bursën HUPEX në Hungari, i cili është i ndryshëm nga çmimi që do të ishte në Maqedoni. Pse them ndryshe? Ndoshta çmimi do të jetë i njëjtë, por nevojat e atij tregu që po ndodh në Hungari dhe atij në Maqedoni janë të ndryshme. Kohët e kërkesës dhe ofertës janë të ndryshme”, sqaron Shutinoski. Çdo tregtar në bursë do të duhet të lidhë marrëveshje me bursën dhe çmimi i energjisë elektrike do të varet nga shitblerja apo tregtia në treg, apo nga oferta dhe kërkesa.

    BURSA SHQIPTARE E ENERGJISË

    Në muajin nëntor të vitit të kaluar pritej të nis me punë edhe Bursa Shqiptare e Energjisë, ALPEX, me zyrat e saj në Shqipëri dhe Kosovë.  Mirëpo nga ana tjetër, Qeveria shqiptare nuk ka arritur ta vendosë në funksion bursën e energjisë brenda afatit të përcaktuar. Edhe pse ishte parashikuar që të fillonte punë në nëntor, mungesa e kushteve të operimit ka bërë që afati të shtyhet pa një datë zyrtare. Në kushtet e krizës energjetike të shpallur bursa do të ndihmonte në rritjen e transparencës dhe konkurueshmërisë në tregun e energjisë. Ngritja e bursës së energjisë nënkuptonte listimin e prodhuesve të energjisë elektrike, çka do të rrisë konkurrencën si dhe do të lehtësojë blerjen e energjisë nga të gjithë bizneset e liberalizuara që sigurojnë vetë sasinë e nevojshme të energjisë. Sipas ekspertit të energjisë, Lorenc Gordani funksionimi i plotë i bursës pritet të sjellë uljen e çmimeve të energjisë.

    Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) garanton konkurrencë në tregun e energjisë elektrike, ndikon në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ndërkufitare. Çmimet e energjisë elektrike pritet të ulen për qytetarët e të dyja vendeve. Bursa synon t’i bashkojë tregjet rajonale me tregjet energjetike evropiane. ALPEX do të fillojë me operimin e tregut të ditës në avancë në Shqipëri dhe më pas brenda një periudhe 2-mujore do të operojë me bashkimin e këtij tregu me atë të Kosovës. Sipas kalendarit, tregtimi i energjisë elektrike për tregun e ditës në avancë për Shqipërinë do të nisë përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2023.

    BURSA SLLOVENE-SERBE

    Operatorët e sistemeve të transmetimit nga Sllovenia dhe Serbia, së bashku me shkëmbimin e energjisë elektrike të vendeve evropiane EPEX SPOT, themeluan bursën e parë rajonale të energjisë elektrike për Evropën Qendrore dhe Lindore – ADEX. Bursa e Energjisë Elektrike Alpine-Adriatik-Danub – ADEX, shkëmbimi i parë rajonal i energjisë elektrike për Evropën Qendrore dhe Juglindore, u hap zyrtarisht në Lubjanë më 23 dhjetor, me zyrat në Ljbljanë dhe i Beograd. ADEX i sapokrijuar do të ofrojë shërbime të harmonizuara dhe unike (one-stop-shop) për tregtimin e energjisë elektrike në Slloveni dhe Serbi, me ambicien për të zgjeruar operacionet e saj në vende të tjera në rajonet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. Kryeshefi ekzekutiv i ELES, Aleksander Mervar tha se me themelimin e bursës rajonale të energjisë elektrike ADEX, bursa sllovene BSP, e cila më parë operonte vetëm në tregun slloven, bëhet një lojtar kyç në tregun e energjisë elektrike edhe në hapësirën më të gjerë evropiane.

    Shtatë vite më parë nisi me punë, Bursa kroate e energjisë elektrike (CROPEX), ndërsa hapja e bursës ishte hapi i fundit në liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kroaci. CROPEX lehtësoi ndjeshëm punën e tregtarëve të energjisë elektrike, sepse gjatë tregtimit afatshkurtër, ku ata kanë një vend tregtimi të organizuar qendror për një ditë më parë dhe nuk do të duhet të mendojnë nëse energjia e shitur atyre do të jetë paguar, sepse atë rrezik do ta marrë përsipër bursa. Bursat e energjisë elektrike në të cilat tregtohen kontratat për dorëzimin e ditës së nesërme garantojnë çmime transparente të energjisë elektrike për blerësit dhe shitësit dhe përfaqësojnë një hap drejt krijimit të tregjeve rajonale, shpjegon Reuters. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mos i përdorni këto fraza kur flisni me fëmijët

    Lajmi i rradhës

    Inteligjenca artificiale, thikë me dy tehe për gjeneratat e reja në Maqedoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë