RMV po heq dorë prej gazit rus!

    Maqedonia e Veriut si duket po heq dorë nga furnizimi me gazin natyror nga Rusia. Kjo po vërehet edhe nga thirrja e fundit publike për blerjen e këtij energjensi për dy ngrohtoret në Shkup, përmes të cilave sigurohet ngrohje për amvisëritë dhe kompanitë. Në shpalljen e fundit mujore për muajin dhjetor për mbledhjen e ofertave për blerjen e gazit natyror nga ElektroEkonomia e Maqedonisë, është riformuluar përmbajtja e ofertës, në të cilën krahas kushteve teknike, për herë të parë kërkohet në mënyrë taksative që energjia të mos vijë nga Rusia.

    BURIME TJERA

    Edhe pikat e tjera të kontratës udhëzojnë se vendi do të kërkojë burime të tjera të furnizimi me gaz natyror. Në disa nga kushtet e kontratës theksohet se kërkohet një “Certifikatë të origjinës së gazit natyror që garanton se gazi natyror nuk e ka origjinën në Federatën Ruse”. Përveç kësaj, nëse operatori ofron gaz rus, duhet të paguajë tarifën shtesë të vendosur nga Bullgaria, që nënkupton se po humben shanset për të qenë konkurrues me dërgimin e gazit rus, për shkak se taksa e vendosur e transitit nga Bullgaria për gazin rus do të shtrenjtojë dukshëm furnizimin e kompanive.

    Njëherësh javën e kaluar Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi së bashku me drejtorin e përgjithshëm të NOMAGAS, Bajram Rexhepi dhe kryetarin e Komisionit Rregullator për Energji, Marko Bislimovski, zhvilloi takim pune me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Republikës së Hungarisë, Peter Sijarto. Tema e takimit ishte taksa e gazit rus e vendosur nga Republika e Bullgarisë.

    “Ne jemi plotësisht të përkushtuar për zgjidhjen e problemit që Bullgaria vendosi taksë për gazin rus dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët përmes veprimeve të koordinuara të të gjitha palëve të interesuara. Maqedonia e Veriut mbështet të gjitha iniciativat për zgjidhjen e problemit. Gjithashtu u dakordouam për koordinim të përbashkët të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë në drejtim të ndërmarrjes së aktiviteteve konkrete për të garantuar sigurinë energjetike të të dyja vendeve dhe sigurinë e furnizimit me gaz”, thekson ministri Bekteshi.

    Ministri Bekteshi dhe ministri Sijarto ranë dakord se diversifikimi i burimeve të furnizimit me gaz është qëllimi përfundimtar për të cilin të dyja vendet do të punojnë së bashku në periudhën e ardhshme.

    Furnizuesve nga Maqedonia me gaz natyror deri më tani akoma nuk ju është paguar kjo taksë. Ndërkohë, autoritetet presin ende një përgjigje nga Komisioni Evropian dhe nga Sofja pas reagimit ndaj tyre për vendosjen e tarifës. Taksa prej 10 eurosh për transitin e gazit rus përmes Bullgarisë u miratua më 13 tetor dhe prek Maqedoninë, Serbinë dhe Hungarinë. Bullgaria mori dritën jeshile nga Komisioni Evropian për tarifën dhe vlerësohet se do të fitojë mbi një miliard euro.

    Në Maqedoni konsumi është rreth 400 milionë metër kub normalë, ndërsa vendi furnizohet me 180 milionë metër kub normal gaz nga Azerbajxhani dhe gaz të lëngshëm LNG që vjen nga SHBA. Taksa bullgare nuk ndikon në furnizimin me këto sasi, por ndikon gazi rus .

    GAZI SI ATU I BULLGARISË

    Nga ana tjetër, revista bullgare “Kapital” në artikullin e titulluar “Me gazin rus kundër Rusisë”, vlerëson se me vetëm 20 leva, Bullgaria arriti të hyjë në lajmet botërore dhe të pozicionohet në skenën ndërkombëtare si një luftëtare kundër ndikimit rus. “Kjo lëvizje duket e fortë për momentin në çdo zhvillim të situatës, sepse ndryshon status kuon e gazit – pas shumë vitesh në të cilat Rusia përdori karburantin për të bërë presion ndaj Bullgarisë, tani po ndodh e kundërta – gazi rus po përdoret si armë kundër Moskës. Së pari, tarifa mund të sigurojë të ardhura shtesë për buxhetin ku nëse mbahen vëllimet aktuale të transitit të gazit rus përmes vendit, kjo do të thotë 3 miliardë leva në vit, që është një shumë mbresëlënëse. Nëse përdoret si duhet, kjo mund të jetë edhe një atu për pranimin e Bullgarisë në Shengen”, komentoi “Kapital”.

    Pothuajse e gjithë infrastruktura e transitit të gazit natyror të Bullgarisë është e rezervuar afatgjatë nga Gazprom rus të paktën deri në vitin 2030, dhe kjo është arsyeja pse Bullgaria nuk mund të bëhet një qendër e vërtetë shpërndarjeje për shpërndarjen e gazit, por mbetet vetëm një destinacion transiti për gazin rus deri në dalje tregon Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Turqinë dhe Gazsjellësin Trans-Ballkanik. Kapital thekson se “Gazprom” nuk i paguan Bullgarisë ndonjë tarifë kush e di sa të madhe për atë “shërbim”: rreth 350 deri në 400 milionë leva në vit, por po të kemi parasysh se vetëm kostot operative të gazsjellësit dhe mirëmbajtjen e tij kushtojnë rreth 150 milionë leva, të ardhurat neto reduktohen në rreth 250 milionë leva në vit.

    EVROPA REDUKTIM GAZI NGA RUSIA

    Në nivel të Evropës, gazi rus përbënte 45 për qind të importeve të BE-së në vitin 2021, pas së cilës u reduktua në 24 për qind në vitin 2022 dhe këtë vit pati një rënie të mëtejshme në vetëm 15 për qind të importeve, ose rreth 10 për qind të gazit rus në total. Nga Komuniteti Enregjetik Evropian, të pyetur nëse ky është një presion i ri i BE-së ndaj Bullgarisë si vend anëtar pa të cilin gazi rus nuk mund të vijë në rrjedhën turke (ballkanike), si dhe dëshirën për të reduktuar vartësinë nga gazi rus, u përgjigjën se politika e BE-së është anulimi gradual i gazit rus deri në vitin 2027. “Të gjitha palët kontraktuese janë të detyruara të zbatojnë legjislacionin ekzistues në sektorin e gazit që çon në hapjen e tregut të gazit, konkurrencën ndërmjet furnizuesve të ndryshëm dhe rritjen e sigurisë së furnizimit, duke përfshirë direktivat, rregulloret për gazin, rregulloret për magazinimin, rregulloret për furnizimin etj. Palët kontraktuese janë të detyruara të zbatojnë kodet e rrjetit të gazit që rregullojnë si dhe pjesët që përshkruajnë mënyrën e menaxhimit të infrastrukturës. Për më tepër, vlerësimi i rrezikut është i rëndësishëm dhe për këtë arsye duhet të zhvillohen dhe dorëzohen plane dhe plane parandaluese për situata emergjente”, thekson Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.

    Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut në vitet e ardhshme do të ketë edhe burime të tjera të furnizimit me gaz . Pra vendi është duke punuar në interkonjektorin me Greqinë dhe ka investuar në terminalin e gazit të lëngshëm në Aleksandropolis. Me fjalë tjera, vendi po investon në një central gazi dhe terminal gazi në Greqi për stabilitet afatgjatë energjetik. Pra, Maqedonia e Veriut po hyn në centralin e madh energjetik në Aleksandropolis përmes të cilit do të sigurohet gazi natyror që vjen nga Azerbajxhani, gjegjësisht gaz i lëngshëm nga SHBA-ja dhe vendet e tjera. Gjithashtu Interkonektori i gazit natyror ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është planifikuar të jetë 123 kilometra i gjatë dhe të shtrihet nga Nea Mesimvria në Negotinë përmes Gjevgjelisë dhe të lidhë dy sistemet kombëtare të transmetimit të gazit natyror dhe planifikohet të përfundojë deri në mesin e vitit 2025.

    Lajmet e fundit nga ekzekutivi bëjnë të ditur se deri në fund të vitit, Maqedonia e Veriut do të fillojë punën për një projekt tubacioni që do të lidhë objektet e depozitimit të gazit me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) dhe terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Greqi në Revituza, si dhe terminali i ri që do të ndërtohet në Aleksandropolis. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Frutat dhe perimet që ngjajnë me organet të cilave u bëjnë mirë

    Lajmi i rradhës

    Çfarë është Osteopatia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë