RMV, sa para shpenzuan qytetarët për katër muaj në qese plastike?!

    Vetëm për 4 muaj qytetarët kanë nxjerr nga kuleta e tyre rreth 700 mijë euro për blerje te qeseve të biodegradueshme.

    Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini tha se kjo shumë së bashku me 55 milion euro për huazimin e të cilave deri në fund të majit pritet përgjigje nga BERZH do të do të shfrytëzohen për ndërtim të infrastrukturës së nevojshme për selektim të mbeturinave.

    Sipas tij, procedura e tenderimit duhet të fillojë deri në fund të vitit.

    “Ideja është që këto mjete që janë grumbulluar, së bashku me Qeverinë të krijojmë një program dhe të krijojmë një impuls tek qytetarët, të kthejmë këto para tek qytetarët si investim për selektim të mbeturinave. Do të investohet në kontenjerë pë selektim nga qytetarët. Ideja është për plastikën, kanaçet dhe qelqin. Unë mendoj se vetëdija e qytetarëve është goxha e lartë, por ka munguar edhe infrastruktura në shtet”, tha Ministri i Mjedisit Jetësor.

    Megjithatë, marketet më të vogla dhe tregjet e gjelbra vazhdojnë t’u japin klientëve qese plastike për bartjen e produkteve. Disa prej tyre i shesin qeset plastike, kur në fakt të njëjtat duhet të hiqen nga përdorimi, ndërsa shitja vlen vetëm për ato të biodegradueshme. Se disa markete nuk po e zbatojnë ligjin e thekson edhe Ministri për Mjedis Jetësorë, Naser Nuredini, i cili i bën thirrje Inspektoratit të kryej më shumë inspektime dhe të jenë më rigoroz. Pavarësisht kësaj, nga Inspektorati i Tregut thonë se gjatë 3 muajve të parë të këtij viti janë kryer vetëm 95 inspektime nga të cilat sipas tyre, nuk janë hasur parregullsi.

    “ Nga data 01janar 2022 deri më 31 mars  2022, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer gjithsej 95 kontrolle në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë të bëjnë me Rregulloren për përdorimin e qeseve të biodegradueshme, sipas Ligjit për ambalazhim dhe Menaxhimi i Mbetjeve të Paketimit. Nuk u konstatuan parregullsi gjatë kësaj periudhe”, thonë nga Inspektorati i Tregut.

    Në muajin e parë të hyrjes në fuqi të Ligjit për Ambalazhim dhe Menaxhim të Mbetjeve të paketimit,  Inspektorati ishte më vigjilent, duke realizuar 340 kontrolle. Vendimi për heqjen nga përdorimi të qeseve plastike hyri në fuqi më 1 dhjetor të vitit të kaluar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Bullgaria do të heqë veton pasi Maqedonia të hapë Kushtetutën”

    Lajmi i rradhës

    Bibliotekat më magjepsëse të botës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë