Autizmi digjital është çrregullim i cili shfaqet në vitin e tretë të jetës së fëmijës ndërsa shkak për këtë është varësia ndaj çdo lloj ekrani, TV, celularët, kompjuterët, tabletat. Autizmi digjital shfaqet përmes vështirësive në komunikim, veprimeve të përsëritura stereotipike, por një fëmijë i prekur nga ky fenomen mund t’i kthehet zhvillimit normal. Përdorimi i tepërt i pajisjeve me ekran më vonë rezulton me vështirësi në komunikim, vëmendje të zhvilluar dobët si dhe sjellje agresive.
Psikologët vlerësojnë se në kohët e fundit autizmi digjital po bëhet fenomen edhe më i shpeshtë në shoqërinë tonë ndërsa këshillojnë prindërit që t’i nxjerrin fëmijët jashtë shtëpive, në park, në natyrë, apo qoftë edhe në familje. Sipas psikologut Lulzim Murtezani, autizmi digjital është i ngjashëm por më i vështirë se autizmi klasik pasi ai përfshin varësinë e fëmijëve ndaj ekraneve dhe teknologjisë digjitale.
“Ajo çfarë mund të bëhet është padyshim eliminimi i ekspozimit ndaj ekraneve pasi mund të përmirësojë dukshëm simptomat e tij. Kufizimi i palëkundshëm i qasjes së fëmijës me pajisje digjitale është i domosdoshëm. Veprime të tjera janë përfshirja në lojë dhe inkurajimi i komunikimit me fëmijën. Prandaj rekomandohet përkushtim ndryshe me fëmijën”, theksoi Murtezani, profesor universitar.
Në rastet e autizmit digjital ajo që bie në sy është përsëritja e teksteve nga filmat vizatimor apo lojërat nga fëmija, i cili shpesh izolohet dhe nuk komunikon me fëmijët e tjerë për shkak që nuk ka të zhvilluara aftësi sociale apo aftësi për të luajtur së bashku. Bie në sy gjithashtu edhe përdorimi jo i duhur i lodrave, ku fëmija thjesht i hedh. Përveç kësaj, fëmija ka një vëmendje të zhvilluar dobët, dhe ndoshta disa forma të sjelljes agresive për shkak të pamundësisë për të shprehur nevojat e veta.
Psikologja Fatime Ziberi shpjegon se fëmijët e tillë distancohen dhe nuk parapëlqejnë të kenë kontakte sociale si me bashkëmoshatarët ashtu edhe me prindërit e tyre.
“Besoj se si masë preventive që prindërit, edukatoret, por edhe shkolla si institucion duhet të bëjnë është kontroll mbi përdorimin dhe qasjen e fëmijëve në mjetet teknologjike dhe smart, angazhimi i tyre në lojëra dhe aktivitete sociale të përshtatshme për moshën e tyre, si dhe më shumë kohë me ta, qoftë ajo shëtitje e thjesht, piknik, evente për fëmijë ku do të kenë raste shoqërimi me bashkëmoshatarët e tyre”, theksoi Ziberi.
E dobishme është edhe demonstrimi me shembull se kur dhe sa është e përshtatshme të përdoret teknologjia. Trajtimet e terapisë së të folurit dhe rehabilitimit janë treguar gjithashtu si metoda efektive, duke përfshirë edhe përfshirjen e fëmijëve në kopsht nëse nuk e frekuentojnë atë, si dhe në aktivitete të ndryshme sportive apo sociale. Terapitë mund të jenë të suksesshme nëse prindërit reagojnë në kohë dhe bashkëpunojnë me ekspertët, ndërsa nuk kanë efekt nëse fëmija vazhdon të kalojë kohë përpara ekraneve në shtëpi dhe prindërit në përgjithësi nuk ndjekin udhëzimet e ekspertëve.
Fëmijët gjithnjë e më shumë po shpenzojnë kohë me celularë dhe në internet, por edhe duke përdorur pajisjet e tjera me ekran, dhe pasojat e ekspozimit të tepërt ndaj ekraneve përfshijnë vështirësi në mësim dhe në gjumë, probleme me kujtesën dhe ruajtjen e vëmendjes, çrregullime të sjelljes dhe shqetësime në rregullimin e emocioneve. /Koha/