RMV ‘vuan’ nga mungesa e shtigjeve për biçikleta

    Maqedonia e Veriut “vuan” nga mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për biçikleta, fenomen ky që ka ndikim negativ në sigurinë e trafikut dhe kontribuon në ndotjen e ajrit. Mungesa e shtigjeve të sigurta dhe të planifikuara mirë për biçikleta bën që qytetarët të detyrohen të përdorin automjete për udhëtime të përditshme, duke rritur kështu ngarkesën e komunikacionit në rrugë dhe njëkohësisht rritjen edhe të ndotjes. Pikërisht për këtë, pra, në kuadër të angazhimeve për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e cilësisë së mjedisit urban, zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandër Nikollovski, së bashku me ekipin e shërbimeve eksperte nga Departamenti i Urbanizmit dhe Komunikacionit Rrugor, thonë se po punojnë për një strategji me shoqatën qytetare “Be Green”.

    Një nga temat kryesore, siç informon ministri, është identifikimi i mungesës së infrastrukturës së duhur për biçikleta, e cila sipas Nikollovskit, është thelbësore për sigurinë e trafikut dhe kontribuon ndjeshëm në uljen e ndotjes ajrore. Përfaqësuesit e shoqatës ndërkohë sugjerojnë që ky faktor të merret parasysh në proceset e planifikimit urban, duke ofruar mundësi për zhvillimin e një infrastrukture më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin.

    Ministri Nikoloski përshëndeti iniciativën dhe theksoi gatishmërinë e Ministrisë për të bashkëpunuar ngushtësisht me shoqatat qytetare për të hartuar dhe implementuar standarde dhe norma të reja që do të mundësojnë zhvillimin e një infrastrukture cilësore për biçikleta.

    Ai theksoi se ky bashkëpunim është kyç për realizimin e projekteve të tilla në të ardhmen. Gjithashtu, ministri njoftoi se vitin e ardhshëm buxhetor, Ministria do të sigurojë mjete për subvencionimin e blerjes së biçikletave, me qëllim të uljes së përdorimit të automjeteve dhe për të ndikuar në uljen e ndotjes së ajrit. Ky hap është pjesë e strategjisë për mbrojtjen e mjedisit dhe për promovimin e transportit të qëndrueshëm.

    Nga ana tjetër, ministri dërgoi një apel drejtuar të gjitha komunave të vendit. Ai i inkurajoi ato të aplikojnë për financime për ndërtimin e shtigjeve për biçikleta, në kuadër të mbështetjes financiare prej 250 milionë euro që është parashikuar për vitin e ardhshëm. Ky projekt do të kontribuonte në përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës për biçikleta në nivel komunal dhe do të stimulonte përdorimin e biçikletave në zonat urbane.

    Ndryshe, në periudhën e ardhshme, shërbimet eksperte nga Ministria dhe përfaqësuesit e shoqatës “Be Green” do të vazhdojnë të punojnë së bashku për krijimin e rregulloreve të reja për planifikimin, projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të biçikletave, me qëllim të zhvillimit të një infrastrukture moderne dhe të sigurt që do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve dhe mjedisin. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV E DYTA ME RYSHFET

    Lajmi i rradhës

    Muzeu i Dibrës që pret legalizimin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë