Sumeja Hamzi, psikologe
Autore
Fillimi i vitit të ri shkollor është gjithmonë një moment emocionues për nxënësit, por për fëmijët me aftësi ndryshe dhe për prindërit e tyre, ky fillim mund të sjellë sfida të veçanta. Mbështetja e duhur, përgatitja e shkollave dhe përfshirja e familjeve janë kyçe për një shkollim gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm.
Edukatorja speciale, Azra Ejupi Kurtishi, thekson se shkollat tona po transformohen gradualisht drejt hapësirave gjithëpërfshirëse. “Shkollat tona janë duke u transformuar në hapësira më gjithëpërfshirëse, dhe çdo vit po bëhen hapa të rinj për të krijuar kushte më të mira për nxënësit me aftësi ndryshe. Ajo që është e rëndësishme është se po ndërtohet një sistem ku përkushtimi dhe dëshira për të ndihmuar janë të mëdha, dhe kjo është baza për progresin e mëtejshëm,” shpjegon ajo.
Sa i përket stafit të trajnuar, Kurtishi thotë: “Me aq sa kam unë njohuri, shërbimet pedagogjike në shkolla janë të trajnuara dhe kanë njohuri mbi inkluzionin. Sigurisht që gjithmonë ka vend për përmirësim, por më e rëndësishmja është që këto shërbime të kompletohen me të gjithë bashkëpunëtorët profesional – defektologë, psikologë, logopedë, punonjës socialë – që mbështetja për fëmijët të jetë sa më e plotë.”
Në lidhje me programet individualizuese, ajo thotë: “Po, ekzistojnë plane individuale të zhvillimit që hartohen për nxënësit me aftësi ndryshe. Këto plane ndihmojnë shumë në përshtatjen e procesit mësimor, por gjithmonë ka hapësirë për t’i zbatuar edhe më mirë në praktikë. Pika e fortë është se aty ku ka bashkëpunim të mirë mes mësuesve, prindërve dhe shërbimeve profesionale, këto plane japin rezultate shumë të mira.”
Roli i asistentëve arsimorë është gjithashtu thelbësor. “Asistenti arsimor ka rol të rëndësishëm në përfshirjen e fëmijëve. Ai nuk është aty për të punuar vetëm me një nxënës, por për të asistuar mësuesin dhe gjithë klasën që fëmija të jetë pjesë e procesit sa më natyrshëm. Në këtë mënyrë, nxënësi shihet si pjesë e klasës dhe jo i veçuar, dhe kjo e bën mjedisin shkollor më gjithëpërfshirës,” shpjegon Kurtishi.
Përfshirja e prindërve në planifikimin dhe monitorimin e progresit të fëmijës është e domosdoshme. “Patjetër. Përfshirja e prindërve është thelbësore, sepse ata e njohin fëmijën më mirë dhe sjellin përvojën e përditshme që është shumë e vlefshme. Kur prindërit janë pjesë e planifikimit dhe monitorimit, mbështetja bëhet më e qëndrueshme dhe progresi i fëmijës është më i dukshëm,” thekson ajo.
Sfidat kryesore për këtë vit shkollor lidhen me burimet e kufizuara dhe nevojën për më shumë staf mbështetës, por Azra Ejupi Kurtishi mbetet optimiste: “Por çdo vit shohim përmirësim – më shumë ndërgjegjësim, më shumë përfshirje të prindërve dhe më shumë vullnet për bashkëpunim. Kjo na jep shpresë se me hapa të vazhdueshëm, do të arrijmë shumë më tepër.”
Ajo thekson gjithashtu rëndësinë që shkollat ta kuptojnë rolin e asistentit arsimor në mënyrë të saktë: “Sepse përfshirja nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një vlerë që pasuron gjithë shkollën. Një fëmijë me aftësi ndryshe është nxënës i klasës dhe jo vetëm ‘nxënësi i asistentit’. Asistenti është aty për të ndihmuar procesin, për të lehtësuar komunikimin dhe për ta bërë përfshirjen më të natyrshme dhe të barabartë. Kjo është përfitim jo vetëm për fëmijën, por edhe për shokët e klasës që mësojnë solidaritet dhe respekt.”, shprehet Kurtishi.






