Problemi me mbeturinat në rajonin e Pollogut, kryesisht në Komunën e Tetovës, nuk mund të zgjidhet menjëherë. I njëjti problem do të zgjidhet kur do të përfundohet tërësisht rregullimi i deponisë Rusino. Kështu ka thënë ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini. Sipas tij, problemi me deponitë është i pranishëm edhe në shumë komuna tjera. “Për fat të keq, problematika me mbeturinat nuk është vetëm në Tetovë por në të gjithë shtetin. Ne kemi plan për zgjidhjen e problemit me mbeturinat në nivel rajonal. Pasi që jemi duke folur për Tetovën, aktualisht Deponia Rusino është deponi e tërë rajonit. Ne kemi investuar përmes programit të qeverisë zvicerane me 1.9 milion franga.
Rehabilitimi i deponisë është në rrjedhë e sipër, pranë përfundimit, ku bëhet asfaltimi i rrugës deri në deponi, peshorja do të vendoset dhe ujërat e zeza do të mbyllen që të mos e ndotin atë rajon. Pastaj do të pasojë edhe pranim dorëzimi i ndërmarrjeve tek ndërmarrja “Rusino” dhe ato do të menaxhojnë me nëntë komunat që janë në rajonin e Pollogut do t`i hedhin mbeturinat atje. Do të duhet vetëm kohë, tash në kuvend jemi në proces me 6 ligje të reja për zgjedhjen e problemit me mbeturinat, ku do të përkrahim selektimin e mbeturinave, që të mos përfundojnë këto mbeturina në deponi të ndryshme në shtetin tonë. Me zgjidhjen që ofrohet për Rusino, edhe Tetova normalisht do të jetë pjesë e saj” tha ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.
Krahas kësaj, Ministria e Ekologjisë planifikon që të marrë huazim tjetër për të rregulluar infrastrukturën e deponisë Rusino dhe jetësimin e ndërmarrjes publike Rusino. “Po ashtu kemi përkrahje nga shteti zviceran, kemi një grant tjetër rreth 6 milion franga, për sistemin e menaxhimit rajonal kurse jemi në proces të marrjes të një huazimi nga Banka Evropian për Zhvillim rreth 55 milion euro, presim edhe ata të na konfirmojnë atë huazim, ku 17.8 milion do të investohen në rajonin e Pollogut për rehabilitimin e deponisë Rusino, ku parashihen edhe kamionë të rinj dhe kontejnerë për çdo komunë”, tha Nuredini.
Qyteti i Tetovës gjatë fillimit të muajve të verës ishte zhytur në mbeturina gjithandej për çka edhe ka patur shumë reagime si nga qytetarët po ashtu edhe nga ana e partive opozitare për keqmenaxhim me mbeturinat./Kohamk/